Nijeti i mirë shton sevapin

Tregohet se një mbret kishte shprehur dëshirën të ndërtojë një xhami në qytetin e tij. Meqë donte që xhaminë ta ndërtojë vetëm me pasurinë e tij, u kërkoi inxhinierëve dhe punëtorëve që të mos pranojnë kontributin e askujt tjetër, as me para dhe as me ndonjë formë tjetër ndihme. Kjo xhami duhej ndërtuar vetëm me kontributin e tij personal, pa ndihmën e dikujt tjetër. Për këtë, ai i paralajmëroi kushedi saherë inxhinierët dhe punëtorët të cilëve iu besua kjo vepër. Dhe ashtu ndodhi. Xhamisë iu vendos emri i lartmadhërisë së tij.

Një natë teksa mbreti ishte i zhytur thellë në gjumë, sheh në ëndërr sikur një ëngjëll zbret nga qielli dhe pasi fshin emrin e mbretit nga pllaka e xhamisë, shkruan emrin e një gruaje. Mbreti u ngrit nga gjumi i frikësuar dhe i shqetësuar dhe dërgoi ushtarët e tij të sigurohej nëse emri i tij ishte fshirë vërtetë nga pllaka e xhamisë. Ushtarët u kthyen dhe e qetësuan se pllaka mbi murin e xhamisë mbante pikërisht emrin e tij. Këshilltarët i thanë se mund të kishte qenë një ëndërr e keqe dhe se nuk ka vend për shqetësim.

E njëjta ëndërr i përsëritet dhe natën e dytë gjë e cila dhe e shqetësoi dhe e nervozoi dhe dërgon sërish ushtarët e tij të shohin, por sërish ata i thonë që s’ka vend për shqetësuar. Natën e tretë, sheh sërish të njëjtën ëndërr, por këtë herë ai kishte mbajtur mend emrin e gruas së cilës ëngjëlli i shkruante emrin dhe urdhëroi ushtarët e tij ta gjenin e t’ia sillnin në pallat.

Gruaja e moshur dhe e varfër e gjeti veten para mbretit i cili e pyeti: “A ke ndihmuar në ndërtimin e xhamisë që mban emrin tim?”

Gruaja e gjorë i thotë që s’kishte sesi të ndihmonte, pasi kishte dëgjuar urdhërin që askush s’mund të ndërhynte në ndërtimin e saj.

Por mbreti nuk ndalet këtu dhe e pyet sërish: “Për Zotin çfarë pune të mirë ke bërë gjatë kohës që ndërtohej xhamia?”

Gruaja e gjorë i thotë: “Për Allahun nuk kam bërë asgjë konkrete në ndërtimin e xhamisë, veçse një ditë kur po kaloja pranë murit të xhamisë, pashë një mushkë transporti të lidhur, pranë së cilës gjendej një kovë me ujë. Nuk durova dot kur e pashë që po orvatej ta zgjaste kovën me ujë dhe ia afrova kovën që të pinte. Kjo është e vetmja gjë që kam bërë gjatë kohës që po ndërtohëj xhamia.”Atëherë mbreti tha:” Aahh! Një vepër kaq të vogël e bëre për hatër të Zotit e Ai e pranoi, ndërsa unë ndërtova gjithë atë xhami dhe si duket Zoti nuk e pranoi veprën time.” Kështu ai urdhëroi që të hiqej emri i tij nga pllaka e xhamisë e të vendosej emri i gruas së sinqertë.

Çdo vepër që ta bësh, bëje për hatër të Zotit dhe do e shohësh vetë ndryshimin!

Pin It