Nishani kthen në Kuvend ligjin për Dhomat e Tregtisë

bujar-nishani

Presidenti Bujar Nishani ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Dhomat e Tregtisë, me argumentin se ky ligj shkel nenin 46 të Kushtetutës.

Ligji në fjalë detyron të gjithë personat fizikë dhe juridikë të regjitstruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit të anëtarësohen në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas Nishanit një gjë e tillë është në kundërshtim me të drejtën e njeriut për t’u anëtarësuar ose jo në organizata të ndryshme.

“Rregullimi ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe Dhomat e Bashkuara të Tregtisë përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46 të Kushtetutës.

Neni 46 i Kushtetutës përcakton se:’Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm’ duke njohur kështu një parim themelor të të drejtave themelore të njeriut për të marrë pjesë në organizatat dhe shoqatat, qofshin politike, të biznesit apo tjetër, me vullnetin e tyre,” thuhet në argumentimin e Presidentit.

Nishani gjithashtu shprehet se mbrapa këtij ligji fshihet një taksë për biznneset, të cilën ai e cilëson si kundra rregullave bazë të ekonomisë së tregut.

“Ligji 93/2016 përcakton se kuota e anëtarësimit vjetor për çdo person fizik që ushtron aktivitet tregtar është 1000 lek, ndërsa për personat juridik kuota është 3000 deri në 100 000 lekë. Neni 155 i Kushtetutës përcakton qartë se detyrimet financiare, taksa dhe tatime si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen veç me ligj.”

Nga ana tjetër MZHETTS e argumenton ligjin me faktin se rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe të zhvillojnë një aktivitet në përputhje me ligjet.

Pin It