“Një pasdite në muze”, nisma sensibilizuese e Muzeut Historik mbi çështje të ndryshme të historisë e kulturës

Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë,  “Një pasdite në muze” me temë: “Principatat Arbërore, bërthama të kombit shqiptar – Dëshmitë arkeologjike në Muzeun Historik Kombëtar”.

Qëllimi i këtij programi shkencor periodik është sensibilizimi i shoqërisë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare por dhe ndezja e një debati profesional në disiplina të ndryshme.

Spiro Nika, kurator pranë Muzeut Historik Kombëtar, mbajti kumtesën “Principatat Arbërore, bërthama të kombit shqiptar – Dëshmitë arkeologjike në Muzeun Historik Kombëtar”.
Takimin e hapi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili ndër të tjera tha: “Principata e Arbërit (1190-1216) është formacioni i parë, më i hershëm në Shqipëri, për periudhën e Mesjetës. Kulmin e zhvillimit Principata e Arbërit e arriti në kohën e Dhimitrit të Arbërit, i cili e quante veten “Dei gratia panhypersevastos et magnus archond” (Me hir të Zotit panhipersevast dhe arhond i madh).

Në Pavijonin e Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar gjendet Guri i varrit të familjes së sevastit Mihal Sgura, i cili është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1980, nga arkeologët Aleksandër Meksi dhe Damian Komata në kishën e “Shën Mërisë” të Brarit. Pllaka ballore e varrit zbukurohet me një arkadë prej pesë harqesh, nën të cilat ka nga një kryq. Gjithashtu para mbishkrimeve ka nga një kryq me krahë të barabartë. Kryqet me krahë të barabartë tregojnë lidhjen kishtare me ritin bizantin, ndërsa kryqi latin i skalitur në hapësirën ndërmjet harqeve tregon kthesën drejt kishës së Romës, që ndërmorri principata e Arbërisë, e cila fill pas krijimit të saj u shkëput nga ndikimi bizantin. Pesë harqet me nga një kryq në mes nënkuptojnë varrosjen e pesë personave në këtë varr, pra është varr familjar.
Mbishkrimi dygjuhësh vërteton se kemi të bëjmë me varrin e një personaliteti, i cili quhet Mihal Sguro dhe ka vdekur në vitin 1201. Mihali ka qenë sevast në trevën e Tiranës. Mbishkrimi na jep këta komponentë historikë: datën e vdekjes, vendin e varrimit, mbiemrin e të varrosurit dhe titullin funksional të tij”, përfundoi Koçi.

Specialisti Spiro Nika gjatë kumtesës së tij tha se, Shteti i parë mesjetar në territoret arbërore që njihej dhe me emrin arbanoni, qendra e principatës ishte Kruja, sunduar nga Dinastia Skuraj.
Themelues ishte Progoni (1190-1198) dhe në vazhdim djemtë: Gjini (1198-1208) dhe Dhimitri (1208-1216).
Në këtë prezantim u fol edhe për objektin e trashëgimisë kulturore: “Kisha e Shën Mërisë“ në Brar të Tiranës. Rrënojat e kësaj kishe ndodhen në bregun e djathtë të kanionit të Tujanit në të cilin kalon lumi i Tiranës. Ekzistencën e kësaj kishe na e dëshmojnë së pari burimet e shkruara të relacioneve kishtare (në vitet 1641, 1644 dhe 1670), ku përshkruajnë madhështinë e kësaj kishe me kambanoren e saj si dhe konvertimin e banorëve të fshatit në fenë myslimane. Rëndësi të veçantë paraqet zbulimi i një varri monumental ku faqja ballore e të cilit mbart plastike dekorative dhe epigrafinë me vlera historike. Kjo faqe ballore është pllakë monolite nga gëlqerorët e zonës me përmasa 190x75x12cm.
Dekoracioni na paraqet kornizën perimetrale dhe pesë harkada që mbeshteten mbi pilasrta e kolona me kapitele të improvizuara. Në secilen harkade brenda shkruhen pese kryqet që ndoshta përfaqësojnë anëtarët e këtij varri familjar. Pjesa e sipërme është shkruar në gjuhën e greqishtes mesjetare kurse me gërma kapitale latine, me të njëjtën përmbajtje, është shkruar pjesa e poshtme e pllakës.
Mbishkrimi ka këtë përkthim: “Kujto o Zot shërbëtorin tënd sevastin Mihal Sguron me bashkëshorten e tij dhe fëmijët“. Kjo pllakë përkushtimore sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. /ATA

Pin It