Njeriut, i jep dije i Gjithëdituri

Thotë Zoti në Kur’anin famëlartë: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty shpirt me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kur’anin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë..” [Surja Shura, 52].

Në ajetin e mësipërm, me fjalën “shpirt” nënkuptohet Libri i Zotit të lartësuar. Është zgjedhur fjala shpirt për të shprehur sekretin e shpalljes hyjnore e cila shkakton të njëjtin efekt që shkakton dhënia e shpirtit te njeriu, duke e transformuar në një krijesë tjetër. Njeriu (individi dhe shoqëria në tërësi), falë Kur’anit pëson një transformim tjetër. Natyra e Kur’anit i ngjason asaj të shpirtit, prandaj dhe përdoret termi “shpirt” në vend të Kur’anit. Lidhur me shpirtin, Zoti në Kur’an deklaron: “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. [Surja Isra’, 85].

Kur Kur’ani depërton në zemrën e njeriut dhe depërton në çdo qoshe të qenies së tij, njëlloj si gjaku, njeriu transformohet në diçka tjetër për sa i përket energjive, ideve, kapaciteteve dhe arritjeve. Nga cilësitë e Zotit është dhe “i Plotfuqishmi” prej të cilit njeriut i burojnë të gjitha fuqitë. Nga cilësitë e Zotit është “i Gjithëdituri” dhe prej Tij njeriu merr dijet. Nga cilësia e Zotit “i Gjithëurti” njeriu merr urtësinë. Nga cilësia e Tij “i Gjithëmëshirmshmi”, njeriu furnizohet me mëshirë. Kështu, njeriu pajiset me nur dhe energji të pazakonta krahasuar me nurin dhe energjitë e mëparshme.

Pin It