NJOHIM TIRANËN E VJETËR PËRMES FAMILJES MULLETI

https://soundcloud.com/spektrum-group/visare-shqiptare-njohim-tiranen-e-vjeter-permes-familjes-mulleti

 

Këtë të enjte visaret zgjodhën të njihnin më tepër Tiranën e vjetër përmes familjes së njohur Mulleti. I ftuar për ketë ishte z. Tanush Mulleti, një nga pjestarët e familjes Mulleti.

I ftuari e nisi bisedën që me themelimin e qytetit. Tirana është themeluar në 1604 dhe themeluesi i saj ka qënë Sulejman Pashë Mulleti, i cili ishte një bej në fshatin Mullet e në të njëjtën kohë mbarte edhe funksionin e gjeneralit major.

Më tej z.Tanush bëri një përshkrim të fshatit Mullet, në të cilin bëhej degëzimi që shkohej në Manastir. Manastiri i asaj kohe cilësohej si kryeqendra administrative duke pasur shkollat e njesitë më të rëndësishme. Fjala Mullet do të thotë mushkë, për të treguar zonën e vështirë që bëhej për të arritur në Manastri, ndaj edhe mori këtë emër.

Z.Mulleti tha se në atë kohë qytetet ishin kalatë, por me ardhjen e Perandorisë Osmane njerëzit filluan të zbrisnin në fushë duke u krijuar kështu edhe qytetet.

Lindja e qytetit të Tiranës u pa edhe si një nevojë për kohën, për shkak të lehtësirave që krijonte marrja e një dokumenti, pagesa e taksave etj. Në të kundërt banorët duhej të shkonin ose në Shkodër ose në Ohër, thotë më tej z.Tanush. Objektet e para në Tiranë kanë qënë një xhami, një hamam dhe një furrë buke. Furrat e bukës ishin hapësira të mëdha, ku njerëz në nevojë ushqeheshin teksa i binte rruga.

Në vazhdim, ftuari përmend edhe favoret që ka Tirana. Mali i Dajtit, lumenjtë e vegjël, afërsia me detin, dimërat jo të fortë me verën jo të nxehtë, e bëjnë atë një qytet të plotësuar për të qënë një vend ku jetohet mirë.

Më tutje z.Mullet foli për historinë e familjes së tij dhe mënyrën sesi ajo mori drejtimin e qytetit të Tiranës. Po ashtu në këtë drejtim foli edhe për familjet e tjera për familjen e toptanësve, krutanësve, tufinasve, të cilat në periudha të ndryshme sollën kontributin e tyre në ndërtimin e mirë të qytetit të Tiranës .Mulleti foli për karakterin e butë e mikpritës të tiransve. ’’Tiransit nuk kanë qejf të rrahin gjoksin, bëne nerën, hidhe në det se ajo ka me dalë vet’’, u shpreh ai.

Gjatë bisedës u fol edhe për Tiranën e vjetër dhe atë çka ajo është sot. Z. Mulleti tha se qyteti ka ndryshuar disa herë. Mungojnë bahçet e shtëpive të bukura ku perëndimin e diellit e shijoje gjithë kënaqësi, për të cilin enciklopeditë franceze thonë se nuk gjen perëndim më të bukur se në Tiranë. Po ashtu edhe ndërtimet e larta, ndryshimi i shesheve, apo ndërtesa të tjera të ngjashme me ato jashtë ia kanë zbehur shkëlqimin e vërtetë Tiranës.

Z. Mulleti na foli edhe për monumentet më të rëndësishme, objektet me vlerë të Tiranës. Ai nënvizoi xhaminë e Sulejman Pashës, edhe shtatoren e tij e cila nuk përkonte plotësisht me figurën reale të tij. Për këtë i ftuari tha se duhej rindërtuar dhe bërë një respekt i veçantë për shkak të kontributit të tij në Tiranë.

Drejt mbylljes së bisedës z. Tanush foli për punët që tiransit e vjetër kanë bërë. Ata janë marrë me tregëtimin e leshit, i vajit të ullirit, lëndës së drurit si dhe përpunimin e mëndafshit. Ndër përpunuesit dallohej familja e tabakësve e cila merrej me rregjien e lëkurave nga ku dilnin punime të bukura me elemente antike shqiptare.

Në fund z.Mulleti vlerësoi dy personalitete të cilët i janë përkushtuar tërësisht vendit, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Hafiz Ali Korça, për të cilët tha se kanë pasur vlera të jashtëzakonshme në çështjet kombëtare.

 

Pin It