NGA VETE JETA – NGJITJA LART

Një vogëlush zezak u magjeps nga bukuria e cirkut ku  erdhi të harxhojë lekët që i kishin dhënë për bajram. Aq shumë shilarës nuk kishte parë kurrë në jetën e tij dhe ishin plot e përplot të mbushur me fëmijë. Por gjëja që e kishte mrekulluar me të vërtetë ishin tullumbacet që kishin formuar një grumbull të madh, menjëherë pas cirkut të kuajve rrotullues dhe dollapit lojë. Me qindra tullumbace me ngjyra dhe forma të ndryshme, ua çonin peshë zemrën të gjithë fëmijëve që ishin mbledhur aty.

Shitësi i tullumbaceve, një burrë i moshuar, teksa po mundohej të veçonte tullumbacen e kuqe që po blinte një fëmijë, i shkau nga dora. Tullumbacja me perin e gjatë në fund ngjitej lart në qiell duke u tundur sa majtas-djathtas dhe të gjithë, duke ia treguar me gisht njëri- tjetrit, bërtisnin:

– Tullumbacja, tullumbacja!

Vogëlushi e ndoqi me kujdes tullumbacen që ngjitej lart dhe ndërkohë që ai i humbi nga sytë, pa të ngrihej në qiell edhe një tjetër me ngjyrë të gjelbër. Shitësi, një burrë i zgjuar, kishte vënë re se tullumbacja e parë që i iku nga duart kishte tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe ngaqë mendoi se kjo do të ishte një reklamë e bukur, e lëshoi edhe të dytin e më pas një tjetër të verdhë.

Vogëlushi zezak i pa me admirim tullumbacet që u ngjitën në qiell njëri pas tjetrit dhe kur i humbën nga sytë, u afrua me hapa të trembur për tek shitësi.

– Xhaxhi! – i tha. – Edhe tullumbacet me ngjyrë të zezë ashtu do të ngjiteshin lart në qiell?

Shitësi i moshuar e kishte kuptuar shumë mirë se ç’donte të thoshte vogëlushi. I puthi faqet e ezmere dhe ndërkohë që lëshoi në qiell një tullumbace të zezë, i tha:

– Kjo tullumbace ndoshta i kalon edhe të tjerët, bir! Sepse tullumbacet na ngjasojnë neve. Ajo që i bën të ngjiten lart nuk është ngjyra e jashtme, por margaritari që kanë përbrenda.

Pin It