Nobeli për Letërsi 2016, Kadare në listën e 5 të preferuarëve

fbe13d2c37eefc537fdcdc34ebd5946f

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare është shpallur edhe këtë vit kandidat për çmimin Nobel në Letërsi.

Ndërsa deri më 10 tetor janë shpallur datat dhe një pjesë e çmimeve Nobel në fushat e tjera, Akademia Suedeze njofton shkurt se Çmimi Nobel për Letërsi do të jetë më vonë.

Ndërkohë faqet e specializuara britanike të basteve e kanë radhitur shkrimtarin shqiptar në mesin e 5 më të preferuarve për vitin 2016.

Janë po këto lista që një vit më parë kishin radhitur në vendin e katërt fituesen e Nobelit 2015, Svetlana Alexievich, deri në atë kohë një emër jo shumë i njohur botërisht.

Në krye të listës ashtu si dhe vitin e kaluar është shkrimtari japonez, Haruki Murakami. Ai ndiqet në këtë listë nga Adonis, poeti sirian, që jeton Paris.

Në vendin e tretë vjen Ngugi Wa Thongo dhe i katërti është Philip Roth, edhe ky një kandidat që prej vitesh është në krye të listës Ladbrokes. I pesti renditet Ismail Kadare, i cili një vit më parë renditej i 7-ti.

Nuk dihet se kur akademia suedeze do ta shpallë datën e ndarjes së Çmimit Nobel në Letërsi, ndërkohë shpresat për Kadarenë po shtohen, sepse nga viti në vit vjen duke u ngushtuar edhe fusha e rivalitetit.

Ismail Kadare deri më sot është nderuar me disa nga çmimet më prestigjioze në botë për letërsinë si Man Booker Prize e më gjerë. Pavarësisht kësaj liste në mediat botërore komentet se kush do ta fitojë Nobelin sillen rreth tre kandidatëve, Haruki Murakami, Adonis dhe Ismail Kadare.

Pin It