Shkrimtari Agron Tufa është vlerësuar si autori më i mirë i edicionit të 19-të të Panairit të Librit, me vëllimin poetik “Kafsha apo fantazma” (botimet Onufri). Motivacioni që shoqëroi këtë ccmim ishte “Për një perceptim origjinal intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të njeriut”. Vetë Tufa u shpreh se këtë libër e ka shkruar ashtu nxitimthi. “Duke mos pasur fare kohë është shkruar ashtu si unë e quaj penallti në ecje. Për fat të mirë takime të shumta sipas punëve të mia më kanë dhënë një favor të madh për shkrimin e poezive, për fatin e madh se shqiptarët gjithmonë vonohen në takimet fikse. Kështu që dalë ngadalë unë këtë kohë e kam shfrytëzuar”, tha Agron Tufa. Përkthyesi i vitit u shpall Edvin Cami për përkthimin e librit “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, një libër nga autorja kroato-gjermane Marica Bodrozic, botim i shtëpisë botuese Dituria.
Motivacioni për këtë çmim ishte : “Për shqipërimin e një letërsie sa ballkanike aq edhe te përbotshme që sjell njeriun përballë vetes dhe të tjerëve në kërkim të identitetit të një bote plot dyshime.” Ndërsa në letërsinë për fëmijë u nderua me çmim Luan Rama për librin “Më quajnë Aleksandër Moisiu”, botim nga shtëpia botuese Albas, shoqëruar me motivacionin “Rrëfim emocional i figurave njerëzore si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël.” Çmimet në këtë panair u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Lili Sula, Përgjegjëse e Departamentit te Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Tonin Çobani, Doktor Shkencash, Agim Baci, kritik letrar, Jorgji Qirjako, përkthyes, Alida Cenaj, gazetare. Sipas Kryetares së jurisë Lili Sula rreth 107 tituj kanë garuar për 3 çmimet e panairit.