Panariti: Do të hapim bursën bujqësore shqiptare në Lushnje

img_6312-1-825x510

Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, njoftoi sot hapjen e bursës bujqësore shqiptare në Lushnje.

Panariti tha se kjo bursë do të hapet brenda mandatit të kësaj qeverie dhe do të jetë një pikë reference për tregtinë e produkteve bujqësore me shumicë, pakicë dhe për eksportet. Sipas tij ky hap vjen si përgjigje ndaj zhvillimit bujqësor dhe si domosdoshmëri për të rritur transparencën në tregti.

“Bursa e parë do jetë platformë e integruar për përcaktimin e çmimeve dhe do bëhet publike. Është transformim i madh i bujqësisë që për herë të parë krijon një bursë të produkteve bujqësore. Do parandalojë spekulantët për konkurrencë të brendshme. Bursa do përcaktojë importet shqiptare,” tha ai.

Panariti deklaroi se gjatë 9 muajve të fundit bujqësia ka eksportuar 2 miliard e 230 milion lekë më shumë sesa një vit më parë.

“Kemi rritje në sektorë që se kanë njohur këtë rritje më parë. Kemi hop në eksportet e prodhimeve blegtorale që njohin 1 mijë ton eksport më shumë për nëntëmujor. Po ashtu edhe në sektorin e agro-industrisë ku kemi 3 mijë ton më shumë eksporte se një vit më pare,” tha ai.

Pin It