Për herë të parë shërbim koronarografie edhe për pacientët e spitalit të Shkodrës

koronarografia

Për herë të parë ka nisur ofrimi i shërbimit të koronarografisë në një prej spitaleve rajonalë të vendit. Është pikërisht ekipi i mjekëve të Spitalit Rajonal të Shkodrës, i mbështetur edhe nga mjekët kardiokirurgë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës, që kanë realizuar gjatë kësaj fundjave kryerjen e dy procedurave të para të koronarografisë në spitalin e kryeqendrës së veriut.

Tashmë, pacientëve të Shkodrës, por edhe gjithë zonës së veriut, nuk do t’u duhet të udhëtojnë më drejt Tiranës për të pritur radhët e gjata por edhe për të marrë këtë shërbim, pasi ai mund të realizohet në Spitalin Rajonal të qytetit pas fillimit të punës së kabinetit të kardiologjisë.

Një sukses ka qenë edhe kryerja e dy procedurave të para të koronarografisë të realizuara nga ekipi i mjekëve kardiokirurgë të Spitalit të Shkodrës dhe QSUT-së. Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT, Prof. Dr. Edvin Prifti, theksoi se ky është eventi më i madh klinik në këtë qytet.

“Në konsideratën time, është eventi më i madh klinik për qytetin e Shkodrës dhe më gjerë, realizimi për herë të parë i procedurave diagnostiko të koronarografisë. Unë jam shumë i kënaqur për rezultatin dhe për këtë hapësirë të re që i krijohet mjekësisë së Shkodrës”, ka pohuar Prifti.

Për specialistët e fushës, hapja e këtij shërbimi në Shkodër do të thotë më shumë jetë të shpëtuara, pasi rastet urgjente me infarkt apo ato akute me problem në zemër trajtohen që në orët e para të shfaqjes së problematikës shëndetësore.

Pin It