Përmirësimet në Kodin e Punës fillojnë zbatimin në qershor

burrat

Ndryshimet në Kodin e Punës në favor të punëmarrësit do të hyjnë në fuqi në qershor. Këto ndryshime synojnë të rregullojnë disa nga problemet që ekzistojnë në kontratat e punës në marrëdhënine punëmarrës-punëdhënës.

Kështu risitë në legjislacion parashikojnë zhvillime pozitive sa i takon trajtimit të lejes vjetore dhe lejeve të lindjes. Kodi i jep tashmë të drejtën për të marrë leje të dy prindërve në rastin e lindjes së fëmijës për t’u përkujdesur për të. Ndërsaa për fëmijët deri në 6 vjeç prindërit kanë të drejtë të marrin leje të papaguar jo më pak se katër muaj. Po ashtu, është parashikuar që pas rikthimit në punë, 63 ditë pas lindjes së fëmijës, prindërit kanë të drejtë të marrin dy orë leje në ditë të paguar. Pra, mund të punojnë gjashtë orë dhe të paguhen për tetë orë.

Ndryshimi i kontratës së punës mund të bëhet vetëm me shkrim. Një risi tjetër janë agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat sigurojnë mbrojtje ligjore, për të gjithë personat që deri më sot kanë punuar të pambrojtur, si hidraulikët, elektricistët, pastrueset, dadot, punëtorët e ndërtimit me ditë etj.

Për herë të parë parashikohet rregullimi i punës në distance, ose nëpërmjet kompjuterit, duke i krijuar mundësi të reja, veçanërisht të rinjve. Po ashtu gjatë praktikave profesionale nxënësit e arsimit profesional do të paguhen për punën e kryer.

Kodi i Punës përmban edhe disa pika që ndalojnë diskriminimin në punë, përgjegjësitë e punëdhënësit dhe shpërdorimin e detyrës nga ana e tij. Ndër të tjera, parashikohet edhe përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të “shqetësimit seksual” në mjedisin e punës.

 

Pin It