Peshëngritje, Daniel Godelli shpallet kampion Europe, Qerimaj nënkampion

Daniel Godelli shpallet kampion i Europës në stilin e shkëputjes në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, në Split të Kroacisë.

Peshëngritësi 25-vjeçar nga Elbasani triumfoi në peshën 77 kg së bashku me peshëngritësin shkodran, Erkand Qerimaj.

Godelli startoi me 156 kg, por fatkeqësisht në provën e parë dështoi.

Peshëngritësi shqiptar dështoi edhe në provën e dytë gjatë tentativës për të ngritur 158 kg.

Në provën e tretë Daniel Godelli arriti të ngrejë 161 kg në stilin e shkëputjes duke i dhënë Shqipërisë një triumf që na bën krenarë.

Në shtytje Godelli arriti të ngrinte 186 kg në proven e parë, por më pas dështoi në dy provat e tjera ku tentoi 190 dhe 191 kg, pa suksesin e shpresuar duke e mbyllur këtë disiplinë në vendin e 6-të, dhe në dygarësh me 347 kg në total u rendit i 4-ti.

Sukses në peshëngritje mori edhe Erkand Qerimaj, i cili u shpall nënkampion Europe në shtytje me 193 kg të ngritur dhe medalje bronxi në dygarësh.

Pin It