Program artistik kushtuar Ramazanit, të rinjtë përcjellin mesazhe jete

6e3b8a3c-285b-4d83-858a-075f76230349

“Mesazhi i Jetës” erdhi tek publiku përmes një programi artistik titulluar “Netët e Mira dhe Muaji Ramazan”, realizuar me synim informimin dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e kohës në të cilën ndodhemi. Aktiviteti u organizua nga Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi Studentor “Mesazhi i Jetës” pranë Universitetit Bedër dhe përcolli tek të pranishmit një atmosferë të bukur shpirtërore.

Programi u organizua në Sallën e Konferencave të universitetit dhe nisi me lexim Kur’ani nga një prej studentëve, ndërsa vijoi më tej me pjesë muzikore (ilahi), poezi kushtuar Profetit Muhamed dhe ligjërata kushtuar vlerës së Netëve të Mira dhe muajit Ramazan, veprave që iu duhet kushtuar rëndësi gjatë kësaj periudhe, vendit të lutjes në jetën e besimtarit etj.

Gjatë fjalës së tij kushtuar Netëve të Mira në islam, studenti Aurel Senja foli për mundësinë e të përfituarit prej këtyre netëve të dhuntive, dhuratave, pafajësisë e faljes. Ndërsa studentja Flogerta Lila ndër të tjera tha se Ramazani është muaji që e dalloi Zoti dhe ne nuk mund ta nënvlerësojmë. “30 ditët e këtij muaji vlejnë sa 300 ditë”, tha ajo para të pranishmëve.

Poezitë e recituara dhe pjesët e përzgjedhura muzikore i bënë të pranishmit të reflektojnë, emocionohen dhe madje të përloten përpara mesazheve të përcjella me shumë ndjeshmëri nga të rinjtë dhe të rejat e klubit “Mesazhi i Jetës”.

Departamenti i Shkencave Islame kishte përgatitur edhe një surprizë për studentët të cilët kanë mësuar dije shtesë, jashtë kurrikulës mësimore. Kreu i këtij departamenti, Atakan Derelioglu, tha se këta janë të rinjtë të cilët iu kanë hapur dyert e zemrave dijes, duke u përgatitur për problemet e botës sot.

“Zemra është një portë që mund të hapet vetëm nga brenda. Profeti Muhamed a.s ka thënë se njeriu më i mirë është ai i cili përgatitet me dije sot për veshtirësitë e nesërme”, tha profesori duke iu referuar  të rinjve të cilëve  iu dorëzuan çmime simbolike në shenjë vlerësimi për ta dhe si motivim për studentët e tjerë.

Në program morën pjesë stafi akademik i universitetit, studentë dhe të rinj e të reja që kishin ardhur nga jashtë universitetit enkas për këtë aktivitet.

Ky nuk është programi i vetëm i realizuar nga klubi “Mesazhi i Jetës”. Më herët kryetari i këtij klubi, studenti Haki Seitaj tha se ata realizojnë vazhdimisht programe artistike vetëm ose në bashkëpunim me klube të tjera studentore dhe shoqata humanitare, për të përçuar tek njerëzit mesazhet e bukura dhe pozitive që ata marrin çdo ditë.

Pin It