Projekti shqiptaro-zviceran për arsimimin e komuniteteve të margjinalizuara

rom

Komunitetet e margjinalizuara në Shqipëri janë objekt i projektit “Arsimi Alternativ dhe Formimi Profesional” të ndërmarrë nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe ambasada e Zvicrës në Tiranë. Projekti synon arsimimin e fëmijëve dhe të rriturve të komuniteteve të margjinalizuara si një domosdoshmëri për mirëqënien sociale.

Ministri Blendi Klosi dhe ambasadori i Zvicrës në Tiranë Cristoph Graf morën pjesë në një aktivitet të organizuar në Tiranë në kuadër të këtij projekti, ku theksuan nevojën e zbatimit të tij edhe në qytete të tjera të vendit.

“Ky model është fare i thjeshtë: fëmijët të ndihmohen të shkojnë në shkollë dhe të rriturit të shkojnë në punë. Kjo është një fjalë që ne e themi shpesh, por ka ardhur koha e miratimit të një pakti konkret nga të gjithë partnerët”, nënvizoi Klosi.

Ai falenderoi për mbështetjen ambasadorin Graf dhe theksoi se “ky projekt është një përpjekje inteligjente dhe e realizuar në mbështetje edhe të partnerëve tanë zviceran, për një shërbim më të mirë ndaj komuniteteve të margjinalizuara, siç janë komuniteti rom dhe egjiptian”.

Pin It