Pse e sulmon Turqia lëvizjen Hizmet?

Nga Thomas Michel**

1599482967417

Shumë vende të botës u tronditën në korrikun e këtij viti nga tentativa e dështuar e grushtit të shtetit të organizuar prej disa pjesëtarëve të forcave të armatosura të Turqisë. Grushti i shtetit, i planifikuar dhe i vënë në zbatim në mënyrë amatoreske, u zbraps brenda 24 orëve nga autoritetet turke dhe në këtë tentativë humbën jetën rreth 300 persona. Tentativa e grushtit të shtetit, u dënua pa asnjë akuivok nga të gjitha forcat politike, përfaqësuesit e biznesit dhe udhëheqësit fetare në Turqi dhe presidenti i Turqisë Rexhep Tajjip Erdogan, i cili i shpëtoi kapjes apo dhe vrasjes së tij të mundshme, u konsiderua nga turqit si hero kombëtar.

Në orët e para të tentativës së grushtit të shtetit, Erdogani iu drejtua kombit me një mesazh dhe çuditërisht menjëherë fajësoi për përpjekjen e tentativës së grushtit të shtetit lëvizjen Hizmet, një lëvisje progresiste e njohur myslimane, e njohur dhe e respektuar ndërkombëtarisht për punën e tyre në arsim, shpërndarjen e ndihmave në raste fatkeqësish, botimeve dhe shërbimeve të shumta në fushën e mjekësisë. Pjesëtarët e lëvizjes Hizmet, e cila do të thotë “shërbim” në gjuhën turke, janë të frymëzuar nga mësimet e një dijetari tradicional mysliman, Fethullah Gylen, i cili ishte ndër të parët që pa mëdyshje dënoi tentativën e grushtit të shtetit. Por, si arriti Erdogani që të akuzojë në mënyrë të veçantë Gylenin, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tradhëti ndaj atdheut dhe organizimin e tentativës së grushtin e shtetit? Nga përvoja ime personale një kthesë e tillë më duket paksa ironike, pasi deri vonë Erdogan ka qenë një mbështetës i veprimtarisë së lëvizjes Hizmet.

Në maj të vitit 2009, jam vlerësuar me një çmim në Olimpiadën Ndërkombëtare të Gjuhës Turke. Festivali, ishte në thelb një aktivitet kulturor me këngë, valle dhe recitime të poezive turke, të përformuara nga nxënësit e kolegjeve turke në mbarë botën, u zhvillua në një sallë të madhe dhe moderne të konventave në Ankara, kryeqytetin e vendit, dhe u ndoq nga mijëra spektatorë. Aktiviteti u sponsorizua dhe u organizuar nga pjesëtarët e lëvizjes Hizmet dhe shumica e interpretuesve ishin nxënës të shkollave të Hizmet jashtë vendit. Kur unë, së bashku me disa të ftuar të tjerë, u ngjitëm në skenë për të marrë çmimet, në skenë qëndronte i buzëqeshur dhe na shtërngoi duart, Rexhep Tajjip Erdogan, në atë kohë kryeministër i Turqisë.

Incidenti nënvizon faktin se jo më larg se një dekadë më parë marrëdhëniet midis Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit [AKP-së] dhe lëvizjes Hizmet pasqyronin qëndrimet e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjelltë. Vëzhguesit e huaj në Ankara, e cilësonin lëvizjen Hizmet si “krahun fetar të AKP-së”. Edhe pse jo e saktë edhe në ato ditë, një profilizim i tillë pasqyronte zërat dhe mendimet e turqve dhe të tjerëve, se ekzistonte një lidhje ideologjike ndërmjet Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe pasuesve të Gylenit.

Padyshim që përkrahësit e Gylenit kishin një ndikim të madh në Turqi. Ata zotëronin kolegjet më të mira dhe institucione arsimore parapërgatitore për në universitete shumë cilësore, dhe nxënësit e këtyre shkollave vit pas viti kishin rezultate të shkëlqyera në provimet e pranimeve në universitete. Anëtarët e lëvizjes Hizmet ishin botues të gazetës “Zaman”, gazeta me tirazhin më

të madh dhe një nga mediat me më shumë influencë në Turqi, dhe vetë Erdogan e cilësonte këtë gazetë “kujdestare të demokracisë në Turqi”. Anëtarët e Hizmet ishin botues dhe të revistave profesionale dhe revistave periodike shumë të njohura në vend dhe themelues të shoqatave të profesioneve të ndryshme të tilla si shoqata e mjekëve, mësuesve dhe shoqatat e biznesit. Ata themeluan spitale dhe klinika dhe në një shoqëri tejet të polarizuar si ajo e Turqisë, ata udhëhoqën një proces të dialogut kombëtar dhe ishin iniciatorë të ndërtimit të unitetit ndërmjet mendimtarëve dhe udhëheqësve turq: të majtë dhe të djathtë, sunitë dhe Alevi, turq dhe kurdë, myslimanëve, hebrenjve dhe të krishterëve.

Megjithatë, retë e stuhisë u shfaqën në horizont dhe vëzhguesit dhe analistët parashikuan që në të ardhmen kjo lëvizje do të përballej me probleme serioze. Në një analizë profetike të vitit 2010, të botuar në të përditshmen “Hurriyet”, një gazetë me pikëpamje të qëndrës së majtës, në fund analisiti i politikës, Mehmet Ali Birand theksonte:

Nuk e di nëse janë të vetëdijshëm për këtë, por ekziston një rrezik për lëvizjen Gylen, një rrezik i cili duhet të merret në konsideratë seriozisht. Në sytë e shoqërisë turke, e cila beson jashtëzakonisht shumë në teoritë e konspiracionit, lëvizja Gylen është mitizuar përtej dimensioneve të saj reale. Fuqia dhe ndikimi i lëvizjes Gylen është aq i ekzagjeruar, sa që nëse nuk merren masat e duhura, kjo fuqi imagjinare një ditë do ta shkatërrojë vetë lëvizjen… Nëse trendi i tanishëm nuk ndryshon, politikanët e ardhshëm (në të ardhmen) do t’i kundërvihen kësaj lëvizjeje dhe do të duan ta asgjësojnë.

Birand, i cili pohonte që nuk ishte as anëtar i lëvizjes Hizmet dhe se nuk kishte asnjë antipati ndaj saj, besonte se “fuqia që i atribuohej lëvizjes Gylen ishte jashtëzakonisht e ekzagjeruar. Ajo nuk pasqyronte të vërtetën, por ishte thjesht ekzagjerim”.

Shenja e parë e tensionimit të marrëdhënieve ndërmjet Erdoganit dhe Gylenit ka gjasa që daton në protestat në mbështetje të demokracisë të Gezi Parkut, të qershorit 2013, kur Gyleni kritikoi shtypjen që qeveria i bëri protestave. Thyerja e vërtetë në marrëdhëniet e tyre erdhi më vonë atë vit, kur hetuesit, të cilët pretendohet se kishin lidhje me lëvizjen Hizmet, nisën hetimet dhe akuzuan për korrupsion djemtë e disa ministrave të qeverisë turke, dhe implikonin dhe djalin e Erdoganit. Që nga ai moment, Erdogani (që nga viti 2014 president i vendit), vazhdimisht ka këmbëngulur që të shkatërrojë lëvizjen Hizmet dhe të zhdukë ndikimin e kësaj lëvizjeje në shoqërinë turke. Tentativa e grushtit të shtetit të korrikut të këtij viti kishte vetëm pak orë që kishte ndodhur, kur Erdogani e akuzoi Gylenin si organizator dhe drejtuesi të kësaj tentative që kishte në shënjestër atë dhe mbështetësit e tij. Që nga ai moment, qeveria ka ndërmarrë një gjueti shtrigash të tipit “McCarthyite” duke shkarkuar dhe arrestuar rektorët e universiteteve, shefat e policisë, oficerë të lartë ushtarakë dhe redaktorët e shumë gazetave; konfiskimin e pasurive të biznesmenëve simpatizantë të lëvizjes së Gylenit; dhe burgosjen e rreth 60 mijë qytetarëve turq. Më pas, më 2 tetor, qeveria arrestoi vëllain e Fethullah Gylenit, Kutbettin, në perëndim të Turqisë, dhe agjencia e lajmeve gjysmëzyrtare e vendit raportonte se ai (vëllai i Gylenit) ishte në kërkim dhe akuzohej për lidhje dhe si anëtar i një “organizatë të armatosur terroriste”.

Fushata anti-Hizmet e Erdoganit ka ndikuar dhe në marrëdhëniet SHBA-Turqi. Qeveria turke kërkoi ekstradimin e Gylenit në Turqi, ndërsa Sekretari i Shtetit, John Kerry do të theksonte se Shtetet e Bashkuara nuk i ekstradojnë rezidentët e tyre bazuar në akuza të pabaza, madje qofshin

këto dhe akuza të bëra nga krerët e shtetit. Ai ftoi qeverinë turke “që të paraqesë prova legjitime që justifikojnë shqyrtimin e kërkesës”. Deri tani, nuk ka asnjë provë për përfshirjen e Gylenit ose të pjësëtarëve të lëvizjes Hizmet në tentativën e dështuar të grushtit të shtetit.

Për ata që e njohin Gylenin personalisht ose kanë patur kontakte me anëtarët zemër-hapur dhe idealistë të lëvizjes Hizmet, pretendimet për përpjekjet “terroriste” për rrëzimin e institucioneve demokratike, duken totalisht të papajtueshme. Unë personalisht e njoh Gylenin prej më shumë se njëzet vitesh dhe ai është një pensionist, një mësues gojë ëmbël dhe i butë i Kur’an-it, që predikon dhe jeton një interpretim të veçantë dhe tejet tërheqës të Islamit. Koncepti i tij themelor është ai i ihlas (sinqeritetit), e cila do të thotë që çdo gjë që bën njeriu, sado modeste apo e thjeshtë qoftë ajo, duhet bërë tërësisht për kënaqësinë e Zotit. Ky parim shpirtëror, i cili është shumë origjinal dhe unik në Islam, ka motivuar pasuesit e Gylenit që të angazhohen për të administruar dhe për të dhënë mësim në qindra shkolla në vende të ndryshme të botës si Phnom Penh, Bruksel, Akra, dhe në shkollat shtetërore në lagjet e periferike të qytetit në zona urbane me probleme ekonomike dhe sociale të tilla si Miluaukee dhe Cleveland. Ata kanë hapur puse dhe burime për furnizimin e popullsisë me ujë në Somali dhe në Mali, kanë ndërtuar klinika dhe spitale në Kenia, dhe kanë themeluar dhe menaxhojnë programe të dialogut ndërfetar në më shumë se dyqind lokalitete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shumë amerikanë janë njohur me lëvizjen Hizmet personalisht nëpërmjet udhëtimeve të mirë-organizuara kulturore në Turqi, të sponsorizuara nga shoqatat vendore dialogut. Për shumë jomyslimanë, udhëtimet dhe shëtitjet, janë takimi i tyre i parë direkt me një komunitet myslimane që nuk janë të interesuar në dhunë apo dominim, por shprehin dhembshurinë dhe mëshirën e Zotit.

Admiroj pa masë anëtarët e lëvizjes Hizmet, dhe unë njoh personalisht me qindra të tillë, dhe shumë prej tyre janë miq të mi personalë. Kam marrë pjesë në programet e tyre vjetore të lutjeve, ku ata inkurajojnë njëri-tjetrin për të jetuar idealet e tyre të larta islame. Kam dëgjuar dëshminë e peshkopëve turq, hebrenjve dhe alevive, të cilët theksonin se pasuesit e Gylen janë partnerët dhe aleatët më të mirë të tyre në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të vërtetë gjithëpërfshirëse në Turqi. Kam biseduar me studentë të krishterë nga Mozambiku, Indonezia dhe Filipinet, të diplomuar në shkollat e Hizmet, të cilët janë mirënjohës për edukimin e shkëlqyer që kanë marrë dhe mohojnë se kanë qenë objekt i ndonjë forme të prozelitizmi (konvertimit).

A është e mundur që gjithë kjo punë e mirë të jetë thjesht një qëndrim publik, një fasadë për të fshehur një komplot që ka për qëllim të dominojë shoqërinë dhe të marrë pushtetin? Disa gazetarë, të cilët kanë botuar shkrimet e tyre pas tentativës së grushtit të shtetit, duket se në mënyrë jokritike kanë miratuar linjën e qeverisë. Në mesin e profilikëve është dhe Mustafa Akjoll, i cili duke shkruar në New York Times dhe Al-Monitor, na thotë se “ka arsye të mira për të besuar akuzën [e Erdoganit]”, por më pas nuk arrijnë dot të ofrojnë ndonjë arsye të besueshme. Ai thotë se komuniteti Hizmet është i organizuar në mënyrë hierarkike; anëtarët e tij kanë qenë prej kohësh të “infiltruar” në sistemin gjyqësor, në rradhët e ushtrisë dhe të policisë; një (person anonim) ish-anëtar i lëvizjes i është ankuar Akyol se ka një “anë të errët” të lëvizjes Hizmet. Mbi këtë llogjikë joserioze ai pranon pikëpamjet e qeverisë. A është kjo një gazetari serioze apo është thjeshtë propagandë?

Në një shkrim të tij tek “New York Review of Books”, Christopher de Bellaigue bashkon në një të vetme besueshmërinë e përfshirjes Hizmet, duke analizuar bisedat me turqit në rrugë, thashethemet, mendimet e opinionit publik dhe thashethemet apo spekulime e pabaza. Të gjitha këto reduktohen në qëndrimin se shumë njerëz në Turqi besojnë pikëpamjen e qeverisë, kështu që duhet të ketë diçka në këtë përfundim. Ai e bën një përdorim efektiv të zërit pasiv: “Komplotistët janë deklaruar nga qeveria dhe nga shumë të tjerë që kanë vepruar në emër të Fethullah Gylenit”; “Qëndrimi pothuajse unanim tek turqit [është] se lëvizja Gylen është e përfshirë”; “duket bindëse për disa vëzhgues me të cilët kam biseduar në Turqi se mund të ketë patur një aleancë oportuniste mes ushtarakëve dhe gylenistëve për të hequr qafe një president”; në lidhje me pretendimet e përfshirjes së amerikanëve, de Bellaigue i rikthehet të njëjtit argument dhe e analizon atë në aspektin e besueshmërisë: “Për këto turq kjo ka një kuptim perfekt, se mesazhi i tyre pro-perëndimor do t’i bënte gylenistët më të preferueshëm se Erdoganin në sytë amerikanëve”.

Shumica e publikut në Turqi e konsiderojnë përfshirjen e lëvizjes Hizmet në tentativën e dështuar të grushtit të shtetit, si një mundësi të besueshme, se sa mundësia që ata të ishin të mashtruar nga propaganda e Erdoganit. Dhe nuk ka asnjë dyshim se qeveria turke ka qenë shumë efektive për të bindur popullin turk përmes shpifjeve të tyre kundër lëvizjes Hizmet.

Por, nëse lëvizja Hizmet nuk ka qenë e përfshirë (në tentativën e dështuar të grushtit të shtetit), atëherë kush tjetër qëndron pas saj? Shtypi turk i ka renditur të gjithë të dyshuarit e zakonshëm; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin, Vatikanin, nacionalistët kurdë dhe ISIS-in. Disa kanë argumentuar, siç u vu re në artikujt e “Politico” dhe “Independent” (“në të njëjtën mënyrë Hitleri përdori djegien e Reichstag për të shtypur të gjithë opozitën në vend”), se grushti i shtetit ishte një skenar i mirëmenaxhuar nga vetë Erdogan, për të krijuar një pretekst për të shkatërruar lëvizjen Hizmet dhe për të shtypur kritikët e tij laikë dhe majtistë. Sigurisht, ai kishte më shumë për të fituar dhe është, në fakt, fituesi më i madh.

Supozojmë se përfshirja lëvizjes Hizmet në tentativën e grushtit të dështuar të shtetit, është teorikisht e mundur, edhe pse ky është një skenar i sforcuar dhe me shumë pak gjasa. Megjithatë, ashtu si Sekretari John Kerry dhe shumë vëzhgues të tjerë, të cilët kanë qenë të impresionuar pozitivisht nga lëvizja, unë i kërkoj Erdogan: “Jepni prova, nëse keni ndonjë provë, për pretendimet tuaja. Përndryshe, pse duhet dikush të marrë të mirëqena akuzat tuaja për ato që duket se janë një pohim i pabazë kundër këtij lideri të ndërgjegjshëm fetar dhe një komuniteti që janë duke bërë shumë vepra të mira në botë? A ka gjasa që fushata juaj anti-Hizmet të jetë asgjë më shumë se një akt hakmarrje për hetimet kundër anëtarëve të familjes suaj, ose një çmenduri me qëllim parandalimin e një hetimi të vazhdueshëm të akuzave për korrupsion?”

* https://www.commonwealmagazine.org/why-turkey-targeting-hizmet

**Thomas Michel, SJ, ish sekretar për dialogun ndërfetar në Vatikan, është autor i disa librave mbi marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve dhe mendimit islam në Turqinë moderne, përfshirë “Paqja dhe Dialogu në një shoqëri pluraliste” dhe “Një këndvështrimi i krishterë i Islamit”. Për shumë vite ai ka dhënë mësim në Indonezi, Turqi dhe Katar.

Pin It