Qeveria kërkon ndryshimin e kontratave për HEC-et, AREA: Është hap i rrezikshëm

hidrocentral_8

Qeveria shqiptare po harton draftin ligjor që detyron prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike të nënshkruajnë kontrata të reja për shitjen e energjisë së prodhuar prej tyre. Sipas këtyre kontratave HEC-et e vogla do të munden të shesin vetëm një pjesë të energjisë tek konsumatorët, ndërsa pjesën tjetër do të jenë të detyruar t’ia shesin Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për mbulimin e humbjeve.

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) shpreh shqetësimin e saj në lidhje me këtë vendim të Qeverisë, pasi kjo nënkupton prishjen e njëanshme të kontratave të nënshkruara tashmë. Gjithashtu AREA nuk ka besim tek kapaciteti blerës i OSHEE-së në të ardhmen, pra ky model i ri mund të ketë pasoja të rënda për prodhuesit vendas të energjisë.

Qeveria kërkon t’i transferojë kontratat e HEC-eve nga KESH tek OSHEE, por kjo lëvizje nuk siguron blerjen totale të energjisë. Sipas AREA-s OSHEE nuk ka as licencën e duhur për të kryer tërheqjen e energjisë nga prodhuesit.

Prishja e njëanshme e kontratave të HEC-eve të vegjël në vend do të çojë në uljen e besimit të investitorëve vendas dhe të huaj, sepse keta prodhues kanë investuar shuma të mëdha në sektorin e energjisë.

 

Pin It