‘Qyteti i trëndafilave’, Përmeti zgjedhja e mbi 25 mijë turistëve

Rreth 25 mijë turistë, vendas dhe të huaj kanë zgjedhur si itenerarin e tyre turistik gjatë sezonit veror të këtij viti, qytetin e Përmetit i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë.

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi, në një prononcim për ATSH-në, tha se rreth 25 mijë turistë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe shumë të huaj kanë vizituar qytetin tonë, që është i njohur për vlerat që ka si dhe për mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera.

Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël, nga shtrirja gjeografike, por i madh nga vlerat e shumta të tij historike, kulturore e natyrore.

Në këtë qytet, çdo turist vendas apo i huaj ka mundësinë të frekuentojë shumë vende të bukura të kësaj zone si brendanë qytet, ashtu dhe jashtë tij.

Një panoramë e mrekullueshme ku gërshetohen me njëra-tjetrën janë kanionet e Lengaricës me bukurinë e tyre, lumi i Lengaricës, Ura e Katiut prej guri me një hark të madh e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Ura e Dashit, etj.

Në zonën e Përmetit pikasin në mënyrë të veçantë fshatrat karakteristike me shtëpi dhe sokaqe prej guri, të cilat i japin një tjetër vlerë turistike kësaj zone, si fshatrat Kosovë, Ogdunan, Bënjë dhe Lipë e vjetër.

Ujërat termale të Bënjës gjenden 14 km larg nga qyteti i Përmetit, është një monument natyror ku mbizotërojnë pesë burime nëntokësore ujore me bazë sulfurore, të cilat janë cilësuar si burime me vlera kuruese për sëmundje të ndryshme. /ATA/

Pin It