Rama në Gjermani: Shqipëria ka potencial për investitorët e huaj

rama

Gjatë vizitës së tij në Hamburg, kryeministri Edi Rama foli në Forumin Ekonomik Gjermani-Shqipëri për mbështetjen ekonomike të vazhdueshme të Gjermanisë, si dhe ftoi investitorët gjermanë të eksplorojnë mundësitë që ofron Shqipëria.

Rama theksoi se Gjermania është donatori më i madh i 25 viteve të fundit në Shqipëri, duke mbetur një partner kyç në rrugën e zhvillimit të vendit.

“Ne nuk mundemi të mos e vlerësojmë mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni ofruar vendit tonë në të gjithë fushat, sidomos ato që kanë pasur një rëndësi kritike për njerëzit në kohërat e vështira që kemi përjetuar, duke nisur nga energjia, uji dhe kanalizimet, mbështetja për biznesin e vogël dhe atë të madh, etj”, theksoi kryeministri Rama.

Ai i ftoi investitorët gjermanë të investojnë në Shqipëri në fusha me potencial të lartë zhvillimi si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia e industria ushqimore, administrimi i ujërave. Rama foli gjithashtu për favorizimin e investimeve të huaja përmes uljes së taksave dhe tatimeve.

Sipas kryeministrit, nëse 5 vjet më parë të investoje në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, etj. do të thoshte të investoje në një treg shumë të vogël, sot, falë Procesit të Berlinit dhe nismës së Kancelares, që tashmë është një institucion në marrëdhëniet me rajonin, ju nuk investoni më në një vend të vogël, por në një treg më të madh, sepse do të jetë gjithnjë e më shumë një treg rajonal. Tregu është sot krejt i ndryshëm, dhe potencialet janë aty për këdo që do t’i kapi ato.

Pin It