Raporti i BB, lehtësohen procedurat e të bërit biznes në Shqipëri

doing-business-2016-albania-protecting-minority-investors-rank-8

Renditja e Shqipërisë në raportin Doing Business të Bankës Botërore është përmirësuar me 32 vende krahasuar me një vit më parë, duke u renditur e 58-ta nga 190 shtete. Kjo është renditja më e mirë e vendit tonë që prej vitit 2003.

Shqipëria është vlerësuar me 68.9 pikë nga 61.3 pikë në raportin për vitin 2016.

Sipas ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi, vlerësimi pozitiv është rezultat i tre reformave të mëdha me lejet e ndërtimit, bizneset dhe taksat.

“Vlerësimi i Bankës Botërore ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm sepse konfirmon që reformat e ndërmarra nga qeveria janë duke ecur në drejtimin e duhur, por çka është më e rëndësishme, sepse inkurajon investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri, pasi vendi ynë është miqësor ndaj sipërmarrësve të huaj dhe të bësh biznes tek ne vlen”, tha Ekonomi.

Thjeshtimi i procedurës së dhënies së lejeve të ndërtimit, përmirësimi i furnizimit me energji elektrike dhe pagesa e taksave në mënyrë elektronike kanë thjeshtuar të bërit biznes në Shqipëri.

Megjithatë vlerësimi i BB-së kritikon skanimin e detyrueshëm të çdo malli në doganë, sepse ngadalëson procedurat e eksport/importit.

Në fund ministrja Ekonomi falenderoi të gjithë kontribuesit, institucionet shtetërore, organizatat e biznesit apo partnerët ndërkombëtarë për kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e reformave që sollën këtë përmirësim cilësor në lehtësitë e të bërit biznes.

Pin It