Raporti i KE: Ekonomia shqiptare ka përmirësim, kujdes borxhin publik

BRUKSEL

Komisionit Europian publikoi të mërkurën raportin e radhës për zhvillimet gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016 në vendet kandidate dhe ato që janë në proces kandidimi, ku hyn edhe Shqipëria.

Sipas raportit të Direktoratit Ekonomiko – ­Financiar, situata ekonomike në vendin tonë karakterizohet nga investimet e huaja, rritja e të ardhurave nga turizmi apo deficiti i ulët buxhetor. Ndërsa borxhi i lartë publik vijon të jetë një rrezik potencial.

Raporti i KE vlerëson rekomandimin e Komisionit të Zgjerimit për hapjen e procesit të negociatave për anëtarësimin në BE për Shqipërinë, reformën në drejtësi, ligjin për kontrollin e magjistratëve etj.

Sipas raportit në Shqipëri, rritja e ekonomisë ishte rreth 3.1% me bazë vjetore në tremujorin e tretë, në krahasim me rritjen e rishikuar për lart prej 3.3% në tremujorin e parë dhe 3.4% në të dytin. Ndërkohë, rritja e konsumit u ngadalësua, nga 4.1% në tremujorin e mëparshëm, në 1.6% në të tretin. Tregu i punës u përmirësua teksa norma e papunësisë ra në 15.2%, niveli më i ulët ky në tre vjetët e fundit, si rrjedhojë e rritjes së punësimit në industri, shërbime, e bujqësi.

Llogaritë

Deficiti i llogarisë korente, pas një përkeqësimi të ndjeshëm në tremujorin e dytë, u përmirësua me 35% në të tretin. Gjithsesi, për 9­mujorin, deficiti i llogarisë korente u përkeqësua me 11% në krahasim me 2015­n. Ndërsa deficiti tregtar u pakësua në masën 13.7 për qind në shkallë vjetore gjatë tremujorit të tretë, kur eksportet kanë regjistruar një ritëm tre herë më të shpejtë se sa importet (18.1% dhe 6.1%). Eksporti i shërbimeve madje u rrit 24%, ku ka ndikuar një shtim i ndjeshëm i të ardhurave në sektorin e turizmit. Nga ana e tyre, investimet e huaja direkte në ekonomi u rritën në masën 11.3 për qind në shkallë vjetore.

Buxheti

Të ardhurat buxhetore për 11­mujorin ishin 1.4% më pak se plani. Por shpenzimet patën një mosrealizim edhe më të lartë: ­6.9%. Me rishikimin e buxhetit, borxhi publik u rrit me 0.4 pikë përqindje, për të arritur në nivelin e 71.3% të PBB­së. Në fund të shtatorit, borxhi i jashtëm bruto arriti në 7.9 miliardë euro, që përfaqëson një rritje në masën 6.6% në shkallë vjetore.

Bankat

Kreditë me problem u ulën nga niveli më i lartë i vitit, prej 21.4% në gusht, në 20.4% në nëntor. Rritja vjetore e kredisë, që reflekton dhe efektin e fshirjes së detyrueshme në disa kategorive të huave me probleme), që ishte negative deri në gusht, u kthye në pozitive në muajt në vijim dhe arriti 0.8% në nëntor.

Rajoni

Performanca e rritjes në Ballkanin Perëndimor u përmirësua në tremujorin e tretë 2016, kur prodhimi i rajonit u përshpejtua në rreth 2.5% me bazë vjetore, sipas raportit të Komisionit Europian. Kjo erdhi kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit në Serbi, ekonomisë më të madhe në rajon. PBB e Serbisë u përshpejtua në 2.6%, në rritje nga 1.9% në tremujorin e mëparshëm, e mbështetur nga eksportet e forta dhe performanca e investimeve. Gjithashtu dhe Kosova dhe Bosnjë­Hercegovina regjistruan një rritje më të fortë të prodhimit. Në të kundërt, Maqedonia regjistroi një ngadalësim në 2.4% (nga 3.1%) duke reflektuar investimet në mënyrë domethënëse më të ulëta dhe rënie të besimit, si rrjedhojë e krizës së zgjatur politike. Rritja e prodhimit vjetor u ngadalësua lehtë në Shqipëri dhe Mal të Zi, por të dy vendet vazhduan të përfitonin nga investimet e forta dhe eksportet.

 

Pin It