Reportazh / Sulova, bukuri e braktisur (FOTO)

Nga Ferit LIKA

– nga ditari i një gazetari – 

Sulova, kjo mrekulli natyrore, me një peizazh mbresëlënës, sot është e braktisur, e braktisur nga shteti, detyrimisht edhe nga banorët. Në këmbë kanë mbetur vetëm shtëpitë që ngrihen si fantazma të së shkuarës. Krahina e Sulovës shtrihet në pesën më të madhe të rrethit të Gramshit dhe një pjesë në rrethin e Elbasanit.

Rruga për në Gramsh është asfaltuar rishtazi. Është bërë e re, pasi u ndërtua diga e hidrocentralit të Banjës. Rindërtimi i digës ka krijuar edhe një liqen të madh dhe mjaft të bukur mbi lumin Devoll. Në kodrat përreth edhe pse është vjeshtë, gjelbërimi nuk ka ikur ende.

Firma që ndërtoi hidrocentralin, ka shtruar edhe rrugën nga Banja në Gramsh, pasi rruga e vjetër u mbulua nga uji, gjithashtu ka ndërtuar edhe një sheshpushim, ku njerëzit të ndalojnë dhe të shijonë bukurinë që të ofron liqeni i ri.

LIQENI I BANJËS/ FOTO: SPEKTRUM

LIQENI I BANJËS/ FOTO: SPEKTRUM

Gramshi, nuk ka ndonjë gjë për të parë, është i ngjashëm me Cërrikun dhe Librazhdin. Ky qytet është i pozicionuar në një luginë, ku nga njëri krah kufizohet me lumin e Devollit dhe nga krahu i tjetër nga kodra të larta dhe të gjelbëruara. Është një panoramë e bukur, por duket se aty nuk  është vënë dorë që nga koha kur është ndërtuar për herë të parë.

Udhëtimin për në fshatin e braktisur, ku ishim nisur bashkë me Ganiun, do të duhej ta bënim me motor sepse rruga ishte e prishur. Pasi siguruam motorin nga një mik, Tili, që na priste në Gramsh, pasi e kishim lajmëruar një natë më parë, u nisëm.

Në dalje të Gramshit, sapo kalon urën mbi Devoll, (ura e Shën Mërizës) rruga fillon të përkeqësohet, është e pa shtruar dhe mjaft e prishur.

Për 25 minuta, kaluam kthesën që të çonte në fshatin Lubinjë, në vendin e quajtur Shëmtith, ndërkohë që pas kishim lënë fshatin Shën Mërizë , fshatin Lallë, ku mësojmë  se ky ishte fshati që kishte lindur Adriatik Llalla, Vreshtin e Llallës dhe Fiqtë e Duzhës.

Në Shëmtith, përshëndesim një traktor që po kalonte dhe vazhdojmë rrugën.

SHËMTITH/ FOTO: SPEKTRUM

SHËMTITH/ FOTO: SPEKTRUM

Ndalemi te një portë e cila ngrihej në mes të vendit, përreth nuk shihej as shtëpi apo ndonjë shenjë jete. Porta ngjante me mullinjtë e erës së Don Kishotit, e cila varej mbi dy shtylla betoni, mure s’kishte gjëkundi.
Aty mësojmë se kjo ishte vepër e kryetarit të komunës, Refit Bërdëllima. Mbi portë shkruhej “Pika Turistike Kala”, ndërkohë që pas saj, jo që nuk ishte bërë ndonjë investim për turizmin, por nuk kishte as rrugë. Pra, një portë hekuri në mes të hiçit.

Pak më lart portës pamë edhe njeriun e fundit, i cili kish lënë një karrocë në rrugë dhe vetë qëndronte anash së bashku me djalin e tij të vogël. E përshëndetëm dhe shkuam.

Nga aty e deri në Kalanë e Tunjës, rrugën e bëmë herë në këmbë e herë me motor,  pasi rruga ishte tej mase e shkatërruar.

PORTA / FOTO: SPEKTRUM

PORTA / FOTO: SPEKTRUM

Vendet që kaluam dhe vizituam gjatë rrugës ishin:
“Çuka e Daulles”, një kodër ku shumë kohë më parë ngjitej jevgu i fshatit, shikonte zjarrin e topave nga Elbasani apo dëgjonte krismën dhe i binte daulles për të njoftuar fshatarët për kohën e iftarit dhe syfyrit gjatë muajit Ramazan;
“Varri i mirë”, aty ndodhet një varr i hershëm që shumë njerëz kanë dëshmuar se kanë parë “dritë”. Më përpara aty shkonin njerëzit dhe hidhnin lekë, ndërsa të tjerë shkonin dhe i merrnin. Tashmë varri është i shkatërruar, sepse njerëzit, një ditë, menduan se mos gjenin flori brenda. Histori të tilla ka plot nëpër Shqipëri. Poshtë tij shtrihet fshati Duzhë;
“Liqethi i Duzhës”, një pllajë e vogël në kodër, mbi fshatin Duzhë;
“Burimi i Kalasë”, vendi më i lartë nga i cili rrjedh ujë. Një burim me ujë të ftohtë rrëzë kodrës së kalasë dhe mes Panjave.
“Mrizi i Kalasë” ose “Mrizi i Panjave”, ku gjatë verës pushonin bagëtitë nën hijen e pemëve, por që tashmë skish as bagëti aty pari. Mrizi ndodhej në degëzimin e dy rrugëve, ku njëra ngjitej në Kala dhe tjetra zbriste poshtë për në fshatin Irmaj. Poshtë këtij mrizi ndodheshin ledhet ku pinin ujë bagëtitë.

Pak metra më tutje, në një lëndinë të quajtur “Qafa e Arrës”, fshehim diku motorin dhe nisemi në këmbë për në Irmaj. Në mesditë mbërrijmë në fshat.

Përgjatë gjithë rrugës, peizazhi natyror që të shfaqej ishte mbresëlënës. Kodra dhe lugina me bimësi të shumëllojshme, gjelbërim dhe ajër i pastër. Përballë shihje malin e Tomorit, i  cili përshfaqte ngjyra të ndryshme, ku mbizotëronte bluja.

MALI I TOMORRIT / FOTO: SPEKTRUM

MALI I TOMORIT / FOTO: SPEKTRUM

Mbërrijmë në fshat, rruga kish qenë më e gjatë ngase e kishim menduar. Fshati shtrihej në një gropë të rrethuar me kodra gjysmë të gjelbëruara dhe gjysmë të zhveshura. Shtëpitë ishin të braktisura totalisht.

Shtëpia e parë që na shfaqet ishte një dykatëshe në hyrje të fshatit,  e mbuluar me rrasa guri. Përmes një shkallareje prej druri ngjiteshe në katin e dytë. Drurët e ballkonit kërcisnin nga vjetërsia, gati menduam se mos po thyhen. Aty qëndronte varur “çengeli” ku dikur varej kusia e qumështit të zierë, që pritej të ftohej. Ajo mbulohej me një pllakë llamarine, e cila qëndronte ende aty, e ndryshkur dhe mbi të ishin kishte gjemba të thatë, të cilët shërbenin që të mos zbrisnin minjtë nga trarët. Më tutje, varur një xhezve kafeje, ku në mëngjeseve herët, i zoti i shtëpisë dilte në ballkon dridhte një cigare ndërsa kafeje ziente, rrufiste shpejt e shpejt kafenë, varte mbi parvaz xhezven, rrëmbente kazmën a sëpatën dhe nisej për në punët e fshatit e ku vetëm nata e sillte në shtëpi.

Në trarët e shtëpisë, një djep ish lënë aty, dëshmi e një jete, e të qarave të fëmijëve teksa përkundeshin mbi të. Djepi, ky “mjet” që ka rritur shqiptarët ndër breza, është duke u zhdukur me shpejtësi.
Dyert ishin të hapura dhe brenda shihje, oxhakun e vjetër me thëngjijtë e shuar, shtretërit, tiganët, dollapët, orendi të tjera shtëpie, arka të vjetra, magje, tezgjah, etj..

FOTO: SPEKTRUM

FOTO: SPEKTRUM

Zbresim poshtë në katin e parë, një derë e hapur na çon për te qilari, ku dikur qëndronin ushqimet e dimrit, fuçitë me turshi, kadet me djathë, gjizë dhe gjalpë, palat e fikut, reçelrat, mishi pastërma, vaji i ullirit e gjithfarë gjërash.
Ndërsa në krahun tjetër ishte vatha e bagëtive dhe stalla e lopëve, të vetmet burim jete në këtë zonë të thellë.  Kur dikujt për ndonjë arsye i ngordhte lopa, ishte një fatkeqësi e madhe dhe të gjithë vinin e ngushëllonin, pasi ajo ishte i vetmi burim jete në atë zonë të thellë, siç ndodh rëndom nëpër të gjithë fshatrat.
Të gjitha shtëpitë pak a shumë, ishin të ngjashme.

Një ditë më vonë mësojmë se ky fshat është braktisur prej kohësh, por braktisja përfundimtare ka ndodhur pas viteve ’90, ku në mungesë të gjithçkaje, të izoluar nga bota përreth, “një mëngjes” fshatarët vendosën të largoheshin njëherë e përgjithmonë. Dikush jashtë vendit, dikush zbriti poshtë në Gramsh, Elbasan apo edhe Tiranë.

Irmaj shtrihej në një luginë, i izoluar nga çdo gjë tjetër me kodra dhe male përreth, pa rrugë, siç i thonë një fjale, vdisje për një aspirinë.

FSHATI IRMAJ / FOTO: SPEKTRUM

FSHATI IRMAJ / FOTO: SPEKTRUM

Pasi vizituam një pjesë të shtëpive, u ulëm në një lëndinë përpara një tjetër shtëpie të braktisur, nën hijen e një arre gjetherënë. Pranë saj ishte edhe një man. Lëndina ishte mbuluar nga bari, ndërsa shtëpia pas nesh ishte mbuluar nga shkurret.
Teksa pushonim përpiqesha të përfytyroja gjallërinë që kjo bahçe ka pasur. Përpiqesha të shquaja fëmijët teksa kacavirreshin në degët e manit dhe arrës. Aty, ku sot kaplonte heshtja, dikur do ketë gumëzhitur nga zhurmat e fëmijëve, të qeshurat dhe të qarat teksa dikush ka rënë nga pema në përpjekje për të kapur arrat e sapobëra.
Hëngrëm ato që kishim marrë me vete dhe më pas pimë ujë në atë që dikur quhej çezma e fshatit, e cila akoma rridhte.  Ajo ishte mes disa shtëpive, pra çezmë lagjeje, ku të gjithë mbushnin ujë. Më pas do të shohim edhe rrënojat e një tjetër çezmeje.

Pasi vizituam fshatin e braktisur, u kthyem dhe ndalesa e radhës ishte Kalaja e Tunjës, në pikën më të lartë të zonës së Sulovës, një vend i qetë dhe relaksues. Kalaja, rrënojat e së cilës ishin të pakta, vetëm një pjesë muri, aty ku kish qënë porta hyrse për në kala, shihte drejtpërdrejt nga Mali i Tomorit. Mushkëritë të mbusheshin me ajër të pastër dhe shikimi kënaqej nga shumëllojshmëria e ngjyrave.

Ishte perëndim dhe pamja që të jepte mali i Tomorit, teksa dielli largohej në të djathtë të tij, ishte mbresëlënëse. Do të doja të kishim më shumë kohë që të shijonim këtë mrekulli, por nata ra.

dsc_3966

PERENDIM I DIELLIT NGA KALAJ A TUNJES / FOTO: SPEKTRUM

dsc_3980

MALI I TOMORIT NGA KALAJ A TUNJES / FOTO: SPEKTRUM

Pimë ujë nga burimi i kalasë dhe zbresim në Lubinjë, fshatin ku do të kalonim natën. Ndalemi te lokali i Mirit. U ulëm për kafe, pasi përshëndetëm të gjithë fshatarët, që ndodheshin aty. Aty takojmë edhe dy vëllezërit e Ganiut. Lilin, vëllain e madh, i cili erdhi u ul me ne, si dhe vëllain tjetër Bertin, i cili nuk u shkëput nga loja e dominove.
Në lokal një pjesë luante domino dhe një pjesë pinin raki.
Pas një dite të lodhshme pune, lodhje e cila reflektohej në fytyrat e tyre, përpiqeshin të çlodheshin me një teke raki, cigare dhe domino. Në lokal shihje gjithandej pikturat e Ganiut.

Banorët e Lubinjës, ishin punëtorë, të gjitha tokat ishin të punuara dhe të mbjella, mirëpo nuk kishte ndonjë prodhim të madh, pasi nuk kishin ujë për të vaditur, shumë pak edhe për të pirë. Ullinj kishte me shumicë. Pjesa më e madhe e familjeve jetonte me të ardhurat e siguruara nga emigracioni. Lubinjasit ishin më punëtorët e zonës së Sulovës, sikur të kishin pasur ujin dhe rrugën e shtruar, nuk do të hiqnin keq.

Të nesërmen në mëngjes, hëngrëm përshesh me bukë misri dhe qumësht. Pasi pimë edhe një kafe në çardakun e ndërtuar në oborrin e shtëpisë ku kaluam natën, pimë edhe një kafe nën shoqërinë e Kikut (maçokut laraman), i cili nuk na u nda që prej sa shkuam.

Shtëpia e Ganiut ndodhej në fund të fshatit, në vendin e quajtur “Çuka”, në pjesën më të ngritur dhe që aty dukej i tërë fshati si në pëllëmbë të dorës.

LUBINJE / FOTO: SPEKTRUM

LUBINJE / FOTO: SPEKTRUM

Rreth orës nëntë të mëngjesit i hipim motorit dhe kthehemi në Gramsh, ku po na priste Tili, ku dhe takuam profesorin Petrit Basha, i cili na tregoi më shumë për krahinën e Sulovës.

Petrit Basha, ish-mësues Letërsie në Gramsh, i ka kaluar të 70-at. Tashmë është në pension, por shpesh e thërrasin nëpër shkolla të ndryshme për të folur për kulturën dhe traditën e Gramshit dhe të zonave përreth.

Ai ka botuar 18 libra të ndryshëm, mbi historinë, kulturën dhe traditat e kësaj zone. Libri i fundit që ka botuar titullohet “Mirënjohje”, ku kujton dhe falënderon të gjithë ata që e kanë përmendur, dashur, takuar e respektuar ndër vite, por edhe ato që nuk e kanë dashur.

Petriti në plan botimin edhe të një tjetër libri, që ka 40 vjet që punon për të. Një fjalor me dialektizma dhe të folme të zonës së Gramshit.

***

Krahina e Sulovës shtrihet në pesën më të madhe të rrethit të Gramshit dhe një pjesë në rrethin e Elbasanit.

Profesori tregon se Sulova e Sipërme, ajo e Gramshit, shtrihet që nga Sotira në fund të Malit të Tomorrit, vazhdon në krahun e majtë të lumit Devoll deri në Gostimë dhe kthehet në Selitë, ndërsa Sulova e Poshtme, ajo e Elbasanit  përfshin fshatrat Topojan, Mollas, Banjë dhe Luzaj. Bimësia është e  zonës së makiave, dmth bimë gjithmonë të gjelbëria si: Mareja, Dëllinja, Ilqja, Dushku, Shkoza, Qarri, Lisi, etj.

PETRIT BASHA / FOTO: SPEKTRUM

PETRIT BASHA / FOTO: SPEKTRUM

 

Intervista

Profesor a mund të na tregoni se ku shtrihet zona e Sulovës dhe cilat janë emrat e fshatrave të kësaj zone?

Sulova është zona e cila shtrihet dhe ndahet mes tre qyteteve, Elbasanit, Gramshit dhe Beratit. Pjesa më e madhe e saj shtrihet në zonën e Gramshit.
Sulova e Sipërme, ajo e Gramshit, shtrihet që nga Sotira në fund të Malit të Tomorit, vazhdon në krahun e majtë të lumit Devoll deri në Gostimë dhe kthehet në Selitë, ndërsa Sulova e Poshtme, ajo e Elbasanit  përfshin fshatrat Topojan, Mollas, Banjë dhe Luzaj.

Le të ndalemi pak te pjesa e Gramshit…

Sapo kalon Devollin, në të majtë është Shën Mëriza buzë lumit dhe më lart në të djathtë fshati i parë është Llalla, pastaj është Duzha, Tunja (në kala mund të ngjitesh edhe nga Tunja edhe nga Duzha), në krahun e djathtë kur ngjitesh për në Tunjë shtrihet një fshat i vjetër, Lubinja, në krahun tjetër është edhe Ostenthi dhe pasi kalon kalanë dhe një tatëpjetë të gjatë ndodhet fshati Irmaj, i cili është braktisur totalisht.
Pas viteve ‘90 banorët e Irmajit kanë ikur masivisht, duke lënë shtëpitë dhe gjithçka kishin brenda. Ndoshta mund të kenë mbetur dy-tre familje që vijnë herë pas herë për të mbledhur ullinjtë, ndërsa më poshtë shtrihet Përrenjasi dhe Grekani në kufi me zonën e Mollasit.

Po fshati Irmaj?

Irmaj, i cili, tashmë është i braktisur, ka qenë një fshat i hershëm, pranë të cilit mbi kodër ngrihej Kalaja e Irmajt ose ndryshe i thonin qyteti i Kodrionit. Kalaja fillimisht ka qenë pronë e një prej banorëve të Irmajit dhe është blerë nga fisi Basha, fis i cili jetonte në fshtatin Tunjë dhe që prej asaj kohe mori emrin Kalaja e Tunjës. Në kalanë e Tunjës arkeologët kanë gjetur monedha romake, ilire, pjesë qeramike, çka tregojnë ekzistencën  hershme të qytetit të Kodrionit.
Në fakt pas ‘90, njerëzit të etur për para kanë bërë masakra, me aparate metalkërkuese, kanë gjetur monedha të lashta dhe nuk i kanë dërguar në muze duke kanë shkatërruar histoirinë e zonës. Unë kam gjetur një monedhe bronxi në vitet ‘70 dhe e kam dorëzuar në muzeun arkeologjik të Tiranës.
Kalaja ishte për të gjithë zonën dhe në toponimin që ka marrë njihet si Kalaja e Irmajit. Faktikisht në librin që kam bërë “Tunja pranë Kalasë” vura aktin kadastral, ku pronari i saj ishte Demçe Basha. Një nga fisi im e bleu atë nga një banor i fshatit Irmaj, më duket se e ka pasur mbiemrin Salaj sepse dokumentin e shitjes nuk e kam gjetur dot.
Kjo kala nuk ka qenë vetëm e këtij fshati, por e të gjithë zonës. Në rast lufte, të gjithë fshatrat përreth do strehoheshin aty.
Kalaja daton që në shekullin 4, 3 p.e.s., pra rreth 2400 vjeçare.  Aty është edhe pika më e lartë e zonës së Sulovës, gati 980 m mbi nivelin e detit.  Ka pasur edhe kala të tjera, si kalaja e Qelës që është në fshatin Lubinjë, Kalaja e Ballollit që duket që nga këtu, nga Gramshi, ka qenë kalaja e Mëndrakës që tani e ka nën juridiksion  Berati. Këto kanë qenë kala mesjetare, me lidhje llaçi.
Mëndrakë, Belesovë, Pëllumbas, Lumas, Katundas, janë të zonës së Sulovës, por nën juridiksionin e Beratit, fshatrat e tjerë poshtë Topojanit janë me Elbasanin, ndërsa pjesa tjetër me Gramshin.
Haxhi bej Sali Prrenjasi, që ishte sundimtar i Sulovës, thoshte: kam zotërimet e mia nga lumi në lum. Lumi i Tomorricës në Sotirë dhe Selitë. Haxhi beu ka qenë sundimtar në vitet 1750 deri në vitet 1800.
Nga kalaja sot është i zbuluar vetëm një fragment muri. Muri dhe porta që sot duken, kanë qenë të mbuluara me dhe, në vitet 60 janë zbuluar. Por edhe portën e shkatërruan maniakët e thesareve.

Çfarë besimi ka zona e Sulovës?

Fillimisht ka qenë ortodokse, më pas janë bërë myslimanë. Tani në asnjë fshat të Gramshit nuk ka as xhami e as kishë, ndërkohë që më përpara ka patur.

Traditat e krahinës së Sulovës?

Vallja dhe kënga kanë qenë isopolifonike, këndonin dy dhe të tjerët mbanin iso, vallëzonin dy, dy tjerë mbanin iso. Ashtu është edhe sot. Ceremoniali i dasmës. Unë kam bërë një libër, “Rite dhe praktika rituale” dhe aty e kam trajtuar gjatë, nja 80 faqe. Është ceremoniali më i bukur, sepse i këndohet jetës, kulmit të moshës. Këto janë zakone shumë të bukura që dalëngadalë po na ikin.  Rakia është pirë pafund (vënҫe) në Sulovë, kurse unë çuditërisht nuk i jam futur asaj pune. Ngrinin dolli dhe bënin deri në 101 shëndete. Dollia kishte rregulla të forta, nuk futeshin moshat e reja, pa bërë ushtrinë djemtë nuk futeshin në dolli. Shpati i dytë, nuk e ka pirë rakinë, siҫ më tregonte një plak nga Ligati,  ata nuk zinin raki, vetëm në vitet ‘70 e këtej kanë filluar.

Le të ndalemi pak te ceremoniali i dasmave sulovare…

Dasma fillonte ditën e diel me shkrepjen e dyfekut, pastaj, të hënën, të martën, duke përfshirë edhe të dielën ishin tre ditët e ahengut. Të mërkurën vinin miqtë e largët, ndërsa të enjten ishte dasma, krushqit shkonin dhe merrnin nusen. Të premten, miqtë do shikonin nusen dhe do dorivitnin. Miqtë e afërt mund t’i mbanin edhe të premten dhe pastaj largoheshin. Më të bukurat ishin netët e ahengut, veҫ gratë në një konak, veҫ burrat.

Po këngët?

Këngët që këndoheshin ishin nga më të ndryshmet, për dhëndrin, nusen. Humoristiket për vjehrrën, vjehrrin, një larmi tematikash. Për çdo akt të dasmës ka një këngë. Kur fillon dasma, kur nisen krushqit, kur rruhet dhëndri, kur vjen nusja, etj..

Po veshja e nuses dhe e dhëndrit?

Veshja tradicionale e Sulovës është më e bukura. Etnografët thonë se veshja e Sulovës ka shtrirjen më të madhe në hapësirën shqiptare nga të gjitha veshjet e tjera, sepse në Shqipëri numërohen 300 lloje kostumesh.

Veshja e Sulovës shtrihet në Gramsh, Elbasan, shpatin e dytë, Berat, Lushnje, e deri në Fier. Nuk është identike, por me bazë të njëjtë, prej pambuku të bardhë. Duke filluar nga këpucët me xhufka, çorapet, mbathjet, linja, brezi, përparësja, këmisha, xhamadani, shamia e kokës dhe mbi shami vendosej leverja. Ndërsa xhybja dhe fermeleja janë të mëvonshme, por veshja e parë origjinale është shumë e bukur. Lubinja është ndoshta fshati i vetëm që e ka ruajtur më shumë veshjen origjinale popullore. Kjo është veshja e gruas.

Veshja e burrit, përbëhej nga këpucët me xhufka, çorapet, tirqit, mbathjet, fustanella, brezi, kush ishte i pasur në atë kohë vishte edhe silahe, për mbajtjen e armëve, këmisha, xhamadani, mëngorja dhe qylafi në kokë, qylaf tip Elbasani dhe Peshkopie. Është mbajtur edhe takije siç mbante Sulova e Poshtme dhe Myzeqeja.

Për kostumin e nuses punohej shumë. E ëma, sapo fillonte që ҫupa vinte në moshë martese, puna e parë ishte mësimi i tezgjahut dhe bënin punimet e pambukta. I thonin pambuk sheqeri, importi sigurisht. Me ngjyra të ndryshme, të ndezura, dominonte e kuqja, e bardha, e zeza. Po kështu edhe te dhëndri, dominonte e kuqja, qylafi ishte i ri, i bardhë. Fustanella po ashtu, sipas gjendjes ekonomike, fustanella bëhej deri në 100 kinda, pra ishte kaq e çmuar veshja.  Veshja e nuses zbukurohej me fije ari, me gjymysh i thonin. Kostumi i nusërisë njëherë vishej, pastaj vinin kostumet e dyta dhe të treta, për punët e shtëpisë ishte tjetër veshje më pak e kushtueshme. Nusja kishte zbukurime te gjerdani, te florinjtë e ballit, te florinjtë e veshit.

Çfarë dhuratash i binin çiftit?

Në atë kohë, në ditën e Pajës, njerëzit sillnin ndonjë punim të tyre te nusja. Te dhëndri hidhnin më shumë, kryesorja ishte një cjap ose një dash.
Paja çohej një ditë përpara te shtëpia e nuses, nga persona të veçantë, të afërm.

Si njihen sulovarët?

Njerëz të thjeshtë, punëtorë, të dashur dhe veçanërisht mikpritës.  I gjithë populli shqiptar mikpret edhe Tomorica pret shumë mirë edhe Vërҫa edhe Shpati, po sulovarët shquhen. Atëherë ka patur shtëpi dykatëshe, por ka pasur dhe kasolle me kashte që kishte një dhomë dhe kur vinte miku, në një anë flinte miku dhe në anën tjetër i zoti i shtëpisë me gruan dhe fëmijët. Aq mikpritës kanë qenë sa mikun e bënin pjesëtar të shtëpisë.

Bimësia

Bimësia është e  zonës së makiave, dmth bimë gjithmonë të gjelbërta si: Mareja, Dëllinja, Ilqja, Dushku, Shkoza, Qarri, Lisi, etj..

/spektrum/

Pin It