Reshjet, OSHEE gati grupet e emergjencës dhe shërbimit

energji

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka vendosur disa numra telefoni në shërbim të qytetarëve gjatë këtyre ditëve me reshje shiu dhe bore, si dhe ka deklaruar se janë marrë masat e duhura për mbikëqyrjen e situates së rënduar nga përkeqësimi i motit.

“Nisur nga parashikimi i motit ku sipas sinoptikanëve pritet ulje mjaft e ndjeshme e temperaturave dhe reshje të dendura, gjatë ditëve në vijim, kompania OSHEE ka ngritur gatishmërinë për garantimin e furnizimit me energji të abonentëve dhe riparimin e çdo defekti që mund të krijohet në rrjetin e shpërndarjes, nga moti i keq”, thuhet në një deklaratë të OSHEE-së për median.

Po ashtu, OSHEE sqaron se në terren ndodhen të angazhuar rreth 1800 punonjës nga 11 drejtoritë rajonale të OSHEE-së, të cilët janë përgjegjës për riparimin e defekteve në të gjithë vendin.

Grupet e gatishmërisë po monitorojnë 24 orë pa ndërprerje pikat strategjikë te furnizimit me energji elektrike, sidomos spitalet, hidrovorët, institucionet e rëndësisë së veçantë dhe abonentët pa përjashtim.

Nga të dhënat rezulton se 90% e problemeve shfaqen në zonat rurale, ku rrjeti është i amortizuar.

OSHEE kërkon mirëkuptimin e abonentëve për problemet me furnizimin me energji që mund të shfaqen gjatë këtyre ditëve, por garanton se impenjimi i punonjësve tanë do të jetë maksimal për eliminimin e çdo avarie në rrjet dhe rikthimin e energjisë elektrike tek të gjithë abonentët.

Numrat dispecer për rajonin e Tiranës për çdo informacion të mundshëm rreth furnizimit me energji elektrike, janë si më poshtë:
042 355 269
042 355 270
044 528 888
044 505 269
044 505 270

Pin It