Revista italiane “Gioia”: Pushimet ardhshme duhet t’i bëni në Shqipëri

Revista e njohur italiane “Gioia”  shkruan dhe promovon bukuritë shqiptare duke bërë thirrjen që Shqipëria duhet të jetë destinacioni juaj i pushimeve.

Në një artikull të gjatë me titullin “Përse pushimet e tua të ardhshme duhet t’i bësh patjetër në Shqipëri”, revista italiane jep arsye të forta dhe sugjeron vendet më të mira që ka Shqipëria për turizëm.

“Vende të bukura shumë pranë Italisë, kosto e ulët. Shqipëria është një destinacion ndryshe ku mund të përjetosh një përvojë të re. Edhe në anën tjetër të Adriatikut mund të gjeni plazhe e peisazhe interesante. Vitet e fundit në Shqipëri turizmi individual , jo ai i masës është duke u zhvilluar. Ndaj të gjitha këto mund të jenë një arsye e mirë për të njohur fqinjët për të zbuluar vende të reja e për të qëndruar disa javë. E në këtë vit nëse nuk dëshiron të pushosh shumë larg, atëherë zgjedhja do jetë Shqipëria, përveç plazheve të Korsikës”, shkruan Gioa.

Destinacionet që propozohen nga kjo revistë janë: Durrësi,Vlora ,Saranda por edhe Ksamili. “Distanca mes dy destinacioneve kryesore bregdetare, Durrësi dhe Saranda është 250 km. Pra do t’ju duhet më pak se 3 orë me makinë. Në Shqipëri mund të zgjidhni të vini dhe përmes portit të Barit  që është dhe më afër Durrësit, porta kryesore hyrëse e Shqipërisë”, thuhet në artikullin e revistës Gioa.

Plazhet që sugjeron janë: Mali i Robit në Golem ai i Gjeneralit dhe Bardhorit në Kavajë.

Në Vlorë mund të zgjidhni të vizitoni plazhet e Rradhimës apo në Orikum. Një mrekulli është edhe ngjitja drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit. Ujrat blu, pika ku takohet Adriatiku me Jonin, ishujt grek janë sfondi që do t’ju shoqërojnë”, thuhet në artikull.

Saranda është gjithashtu një destinacion që reklamohet nga italianët. Saranda është kryeqyteti i i jugut të Shqipërisë. Një qytet që popullohet mbi të gjitha nga të rinjtë dhe që mund të konsiderohet si ‘Rimini i Ballkanit’.

Nuk duhet të trembeni pasi kostoja e jetesës në Shqipëri është disa herë më e ulët se në Itali. Pak më tej është Ksamili e njohur për peisazhet e njohura të ngjashme me ato të Karaibeve e që gjendet në zemër të Mesdheut.

Burimi:ATA

Pin It