Rregullat e reja për tatimet, kontribute edhe për familjarët e papaguar

amn

Administrata Tatimore publikon rregullat e reja për derdhjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat juridikë ose fizikë, të punësuar ose të vetëpunësuar.

Sipas ndryshimeve të bëra në aktin normative më 25 janar tashmë edhe të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit që kanë punonjës të papaguar familjarët e tyre duhet të paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Personat juridikë ose fizikë duhet të deklarojnë listën e të punësuarve dhe pagën përkatëse edhe për punonjësit e familjes mbi 16 vjeç, brenda dy ditëve pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore.

Po ashtu, edhe personat fizikë të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, duhet të deklarojnë vetëpunësimin e tyre në organin tatimor deri të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës.

Për personin e vetëpunësuar përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore do të llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pin It