Rreziku brenda në shtëpi, vëzhgojini fëmijët tuaj

intro14-1024x683

Shumë prindër kanë blerë kompjuterë si për interesin e tyre personal ashtu edhe për fëmijët madje në shumë raste kanë instaluar edhe internetin për ta përdorur vetë personalisht apo duke menduar se ky është edhe një ndihmë më shumë për fëmijët e tyre.  Shtimi i interesit të internetit nga ana e të rinjve, ka bërë që të lindin pothuaj kudo një sërë biznesesh të vogla, të quajtura ndryshe “Internet Caffe” në të cilat aksesi i fëmijëve është pothuaj i palimitur dhe i pakontrolluar. Në këto vende fëmijët kanë mundësi të luajnë ashtu si edhe të vizitojnë site të ndryshme e rrjedhimisht të shohin, qoftë edhe pa qëllim materiale të dhunshme apo pornografike.

Shikimi i pamjeve të tilla nga ana e fëmijëve, në ndonjë rast bëhet nga kurioziteti apo edhe pse në shtëpi druhen se i “zbulojnë” prindërit. Gjithsesi psikologët, në shumë artikuj që hasen si në revista të psikologjisë, ashtu edhe në median e shkruar, këshillojnë se fëmijët parashkollorë, ata të shkollës fillore, si dhe komplet cikli shkollor i detyruar, për sa i përket internetit është mirë të luajnë dhe navigojnë në kompjuter vetëm nën mbikëqyrjen e një adulti, pra të prindërit, mësuesit apo kujdestarit.

Në shkolla ka ndodhur që fëmijë të dhënë shumë pas internetit dhe video-game-ve për shkak të asaj që shohin kanë sjellje agresive ndaj shokëve, janë të prirur ta përdorin dhunën për më të voglën arsye duke imituar kështu “lojën” në kompjuter. Të gjithë jemi dëshmitarë se sa të aftë janë fëmijët tanë për të përdorur lojrat elektronike, telefonat celularë nga më të sofistikuarit, kompjuterat dhe paisje të tjera elektronike. Por akoma më të aftë janë ata që prodhojnë programe, lojra për fëmijë, e reklama apo produkte, të cilat shtojnë kuriozitetin dhe vullnetin e fëmijëve për t‟i njohur e përdorur ato më tej.

Këto të reja teknologjike, natyrisht, që kanë një kosto për familjet tona, kosto këto që shpesh herë nuk janë vetëm ekonomike. Me të rejat që sjell çdo ditë e më shumë teknologjia dhe përdorimi i internetit, edhe fëmijët duhen mësuar se si dhe sa duhet ta përdorin internetin, duhen kontrolluar në një farë mënyre dhe duhet komunikuar me ta për rreziqet. Të mos gënjehemi nga e reja dhe e bukura që sjell komunikimi on-line dhe njohjet pa kufi që mund të bëjmë nëpërmjet rrjetit.

Përdorimi i tepërt i internetit, pasojat tek personaliteti i fëmijëve. Kujdesi dhe komunikimi me fëmijët duhet edhe në përdorimin e faqeve të internetit që reklamohen si arritje të mëdha, si mund të jetë “Facebook”-u i ditëve të sotme. Moskujdesi dhe mosnjohja e kritereve të përdorimit të këtyre programeve nga fëmijët mund të sjellë pasoja të pakëndëshme për ta, pasi në rrjet ka edhe shumë “mashtrues” që së pari dëshirojnë ta njohin fëmijën përmes internetit (kur ky i fundit ka një adresë e-mail ose është i regjistruar në Facebook), sillen e komunikojnë si të ishin me të vërtetë moshatarë, e më vonë arrijnë të depërtojnë në sekretet e fëmijës derisa të marrin takim me të jashtë shtëpisë. Normalisht që emocioni për këtë “njohje të re” nga ana e fëmijës bën që ky i fundit ndonjëherë të mos u tregojë prindërve dhe pasojat mund të jenë të pakorrigjueshme.

Ç’rregullimet e karakterit, pagjumësia apo dhimbjet e syve e të kokës, zakonisht janë më të përhapura tek fëmijët që frekuentojnë internetin pa kufi. Nuk mund të lihen pa renditur edhe rreziqet e forta dhe intensive, që vijnë si pasojë e komunikimit virtual, siç janë imazhet e dhunshme, apo edhe pornografike, fjalët e pahijshme dhe të papërshtatshme për moshën minore, që mund të traumatizojnë një fëmijë, duke e lënduar thellë në psikikë. Ky fakt është i provuar në shumë familje, të cilat shumë herë nuk arrijnë ta kuptojnë plagën shpirtërore që ka marrë fëmija, pasi kjo lloj plage, jo gjithmonë, mund të shihet. Një raport britanik vë në dukje rreziqet e reja dhe të vjetra për të vegjëlit si dhe rreziqet emergjente që shkaktohen nga kompjuteri. Vetëm një nga nëntë fëmijë, në mesin e 520 mijë fëmijëve të keqtrajtuar apo të ofenduar në Britaninë e Madhe gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi, ndihmohet dhe ruhet nga autoritet përkatëse. Dhuna fizike dhe psikologjike mbi fëmijët, është një shqetësim global, por një studim i fundit i kryer në Angli tregon se si rreziqet që u kanosen të vegjëlve, tashmë po vijnë nga drejtime krejtësisht të ndryshme nga ata të mëparshmet. Madje, nëse nuk jemi të përgatitur përballë kësaj epoke të ndryshimeve të mëdha, mund të jetë më e rrezikshme të luajë me telefonin brenda në shtëpi se sa të shkojë vetëm tek parku i lodrave. Së fundmi nga një vëzhgim i kujdesshëm i mënyrës se si janë ndërtuar lojrat on line ose të ashtuquajturat video-game, kuptohet qartë se prodhuesit e lojërave, e veçanërisht pronarët e  “Internet Caffe”-ve, për vetë faktin e interesit për fitime më të mëdha në biznesin e tyre, e konsiderojnë të lejueshme çdo lloj metode vetëm e vetëm që t‟i tërheqin fëmijët drejt lojrave e kompjuterëve, por vetë ata nuk mbajnë as edhe një përgjegjësi se ç`bëjnë fëmijët kur përdorojnë këto kompjutera..

Pin It