Rriten mosha dhe vitet e punës për pensionin

pensioni

Nga data 1 janar 2017 do të rritet mosha dhe numri i viteve të punës për të dalë në pension. Mosha e daljes në pension për gratë këtë vit do të rritet me dy muaj, duke arritur në 60 vjeç e 6 muaj, ndërsa për burrat nuk do të ketë ndryshime.

Ndërkohë do të rritet periudha e viteve të punës me katër muaj të tjerë si për burrat, ashtu edhe për gratë. Për të marrë pension të plotë nga 1 janari duhet të plotësohen 36 vite kontribute.

Ligji i ri parashikon rritjen e moshës së daljes në pension për gratë me 2 muaj shtesë çdo vit derisa kjo moshë të arrijë 67 vjeç. Gjithashtu planifikohet rritja e periudhës së punës me 4 muaj shtesë çdo vit. Rritja e moshës së pensionit për gratë ka filluar që në vitin 2015 me 2 muaj.

“Në zbatim të nenit 92, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014, mosha e daljes në pension pleqërie në harkun kohor 01.01.2017 – 31.12.2017, për burrat vazhdon të jetë 65 vjeç, ndërsa për gratë është 60 vjeç e 6 muaj. Gjatë vitit 2017 plotësojnë moshën për pension pleqërie gratë e lindura në periudhën kohore 01.11.1956 – 31.08.1957.

Përsa i përket vjetërsisë në punë, ajo rritet me 4 muaj në vit, si për burrat dhe për gratë. Pra 36 vite punë për të gjithë ata që dalin në pension në vitin 2016.

Periudha minimale e sigurimit, apo viteve të punës nuk ndryshon, mbetet 15 vite. “Pensioni i reduktuar” përfitohet deri në tre vite përpara plotësimit të moshës për pension pleqërie, me kusht që, kërkuesi, qoftë burrë apo grua, nëse kërkon të përfitojë pension të reduktuar në vitin 2017, duhet të këtë plotësuar 36 vite periudhë sigurimi si dhe nuk kryen veprimtari ekonomike si i punësuar, punëdhënës ose i vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, pra kur plotëson moshën për pension pleqërie ai nuk ndryshon”, – thotë Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Pin It