Kur’ani na mëson: “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun ashtu siç duhet, kapuni pas Kur’anit e mos u copëtoni!” dhe “Besimtarët janë vëllezër, pajtojini vëllezërit!” Dhe në vazhdim na këshillon: “Mos u tallni me njëri-tjetrin, mos e nënvleftësoni, mos e dënoni dhe mos e turpëroni njëri-tjetrin dhe mos i ngjisni nofka njëri-tjetrit!”
Atëherë për të arritur bashkimin, unitetin, aleancën dhe një vëllazëri ku zemrat të rrahin së bashku, në vend të qindra mendjeve, ideve dhe filozofive, duhet të kemi për orientim kriteret e Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Në vend që të pyesim pse jemi bërë copa-copa, të shmangemi nga fjalët, sjelljet dhe veprimet që çojnë në copëtim dhe në vend të këshillave për bashkim, të themi fjalë e të bëjmë veprime që çojnë në bashkim.
Prandaj duhet duartrokitur të gjithë ata që zhvillojnë veprimtari orientuese e kumtuese dhe duhet bërë lutje për ta. Sigurisht, çdo njeri që i do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe që flet për ta, duhet të miratohet, të duhet dhe të nderohet për hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Njeriu s’duhet të pretendojë se vetëm rruga e tij është e drejtë dhe kështu të mos u njohë të drejtë jete të tjerëve. Besimtari mund të thotë se rruga e tij është e drejtë, e bukur, e mirë, e pëlqyeshme, e goditur, por nuk mund të thotë se vetëm e tija është e drejtë dhe e vërtetë. Është mjaft e natyrshme që njeriut t’i duket më e mire dhe më e bukur rruga e tij, sepse e ka me zemër dhe njeriu bëhet i suksësshëm dhe rezultativ në një punë me aq sa e bën të vetën dhe e dashuron atë!
Është gabim t’i nxisësh të tjerët, t’i damkosësh ata si të metë dhe të shëmtuar. Duhet të dish se si të ulesh e bisedosh me çdo njeri, zemra e të cilit rreh me dashurinë për atdheun dhe popullin, ta miratosh dhe përgëzosh atë pa i dhënë rast hapjes së portës së kritikës dhe t’u përgjigjesh gjërave të bukura me fjalë të bukura.
Kushdo që thotë se vetëm rruga e tij është e drejtë dhe e vërtetë, kurse të tjerat, të shtrembra e të gabuara, pavarësisht se kush është, u hap rrugë pakënaqësive dhe dasive serioze. Jo rrugën, por edhe veshjen dhe makinën t’ia krikosh dikujt do të thotë ta bësh të pashmangshme ftohjen me të. Ndërsa edhe në çështje të zakonshme e të thjeshta, të mos i njohësh të drejtën e fjalës tjetrit çon në armiqësinë me të, mendoni ju se sa do ta dëmtonte besimin e dikujt cilësimi negativ i parimeve dhe metodave të cilave ai u ka kushtuar jetën, se ç’ftohje, armiqësi dhe mëkate do të shkaktonte!
Besimtari duhet të jetojë me dashurinë për rrugën dhe profesionin e tij dhe s’duhet të merret me gabimet dhe të metat e të tjerëve. Në vend të përpjekjes për ta nxjerrë gabim tjetrin, për ta mundur, për ta hedhur poshtë, duhen bërë përpjekje për të nxjerrë në pah anët e mira e të bukura të tij, në pastë.
Ai që merret me të metat e të tjerëve, nuk i sheh dot të metat e veta dhe nuk i tregon dot bukuritë e veta. Ndodh shpesh që kritika e shpejtuar ndaj edhe një gabimi të thjeshtë të japë si rezultat kundërveprim me të njëjtën monedhë.
Të përpiqesh për ta rrëzuar dhe shembur tjetrin dhe, pastaj, për të ngritur mirëqenie mbi gërmadhat e tij është punë dhe mjeshtëri jo e profetit, por e faraonit. Profeti ynë është përpjekur gjatë gjithë jetës vetëm për t’i rregulluar zemrat dhe mbushur ato me bukuri, ndërkaq që, edhe ndaj armiqve të tij më të egër, madje, s’ka treguar asnjë përpjekje për t’i goditur duke përdorur dobësitë e tyre personale.
Puna jonë nuk është t’i shembim zemrat, por t’i rregullojmë. Zemërimi dhe qortimi ynë drejtohen jo ndaj të tjerëve, por ndaj vetes sonë. Jo të kapemi pas të metave të të tjerëve, përkundrazi, t’ua pastrojmë ato. Ne kemi për parim jo t’i ekspozojmë shëmtitë e të tjerëve, por t’i përhapim mirësitë dhe bukuritë tona. Edhe pse njerëzve u jepet vlerë sipas atributeve, ne nuk mundemi ta dimë vlerën e vërtetë që kanë ata te Zoti. Atëherë, në gjokse duhet të bartim zemra të pastruara veçanërisht nga komplekset ndaj zemrave të tjera!