Rritet euro, arrin në nivelin më të lartë brenda një muaji

Euro_50-2-1200x630
Euro ka shënuar rritje të fortë sot në raportet e këmbimit ndaj lekut, duke vijuar në këtë tendencë për të tretën ditë radhazi, teksa efektet sezonale duket se po shkojnë drejt fundit dhe monedha e përbashkët po ndikohet nga forcimi i saj në bursat ndërkombëtare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me ditën e sotme me 136.57 lekë, me një rritje ditore prej 0.32 lekësh, ndër më të lartat e këtij viti dhe duke arritur nivelin më të lartë që nga 18 korriku.

Sipas aktorëve të tregut, dy janë arsyet kryesore të zhvlerësimit të lekut.

Së pari, efektet sezonale po shkojnë drejt fundit. Fluksi masiv i turistëve që erdhi në javët e para të gushtit dhe rriti ofertën ka filluar të zbehet. Fillimi i shkollës më 1 shtator në Kosovë, ka bërë që turistët nga Kosova, që përbëjnë dhe numrin më të madh, të nisin të largohen. Edhe emigrantët, gradualisht po e lënë vendin, pasi kaluan pushimet.

Së dyti, edhe në bursat ndërkombëtare, euro ka qenë e fortë në raport me dollarin. Të dhënat e dobëta mbi ekonominë amerikane po ndikojnë prej javësh mbi monedhën e gjelbër. Indeksi i dollarit kundrejt një shporte prej 6 monedhash ra në 94.385, niveli më i ulët që nga 24 qershori, kur perspektiva e ekonomisë globale mori një goditje të fortë pas referendumit të Britanisë për të dalë nga BE.

Euro ishte 0.3 për qind më e lartë në $1.1320 EUR=, pasi kishte arritur në nivelin më të lartë të shtatë javëve prej $1.13285.

 

Pin It