Së shpejti në treg një telefon Android me bateri që zgjat për 15 ditë

oukitel_k10000

Nëse dikush do t’ju thoshte se do të dalë në treg një telefon inteligjent me bateri që mban për një javë pa pasur nevojë që të furnizohet sërish me energji, ju me siguri do të qeshnit me të dhe do të mendonit se personi nuk e ka idenë se për çfarë po flet. Po sikur t’ju themi se do të dalë së shpejti në treg një telefon inteligjent bateria e të cilit nuk do të zgjasë vetëm një javë, po për dy javë, me një karikim të vetëm?

Oukitel është një kompani për të cilën nuk keni dëgjuar më parë, megjithatë, besojmë se nuk do ta harroni shpejt. Kompania kineze ka krijuar një telefon inteligjent i quajtur Oukitel K10000, i cili përmban një bateri me kapacitet 10000 mAh. Ata që do të blejnë telefonin e ri Android të Oukitel-it do të kenë mundësi ta përdorin atë për 15 ditë pa pasur nevojë që ta furnizojnë me energji.

Oukitel K10000 ka ekran 5.5 inç me rezolucion 720 pikselë, dhe fuqizohet nga procesori MediaTek me katër bërthama me shpejtësi 1GHz, së bashku me 2GB RAM dhe 16GB hapësirë të brendshme, e cila mund të zgjerohet nëpërmjet kartës microSD.

Kamera e tij e pasme është 8 megapikselë, ndërsa kamera ballore është 2 megapikselë. Pavarësisht baterisë gjigante dhe ekranit të madh, telefoni peshon vetëm 184 gramë, që do të thotë se është më i lehtë se iPhone 6s Plus.

Oukitel K10000 mund të porositet tek dyqani në internet GearBest për 240 dollarë.

 

Pin It