Shqipëri, vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç më e larta në Ballkan

Open Data Albania po përditëson të dhëna lidhur me vdekshmërinë e fëmijëve të moshës 0 deri 5 vjeç me vitet 2013-2015. Këto të dhëna janë marrë nga databaza e Bankës Botërore dhe raportojnë normën e fëmijëve që vdesin në këtë moshë në raport me çdo 1000 lindje.

Në Shqipëri norma e vdekshmërisë së fëmijëve 0-5 vjeç ka ndjekur trend rënës në harkun kohor të 25 viteve. Nëse në vitin 1990 humbitnin jetën 41 fëmijë për çdo 1000 lindje, në vitin 2015 ky indikator shënon 14 fëmijë.

norma-e-vdekshmerise1

 Krahasuar me vende të rajonit, Shqipëria ka pasur në vitin 2015 normën më të lartë të vdekshmërisë për fëmijë të moshës 0 deri 5 vjeç. Në çdo 1 000 lindje janë shënuar 14 raste të fëmijëve nën 5 vjeç që kanë humbur jetë. Krahasuar me Serbinë, vendi tjetër me vdekshmëri të lartë, Shqipëria është dy herë më shumë raste fatale për fëmijë deri 5 vjeç. Kroacia ka indikatorin më pozitiv në rajon me 4.3 raste për çdo 1000 lindje. Ky vend ka lënë pas edhe Greqinë, shtet që paraqiste treguesin me të mirë në vite të mëparshme.

norma-e-vdekshmerise

Nëse do të konsiderojmë rënien me bazë vjetore të këtij treguesi, si një element që tregon përmirësim të kujdesit dhe sigurisë së fëmijëve nën 5 vjeç, shohim se Shqipëria ka shënuar një rënie me bazë vjetore të numrit të vdekjeve prej 3.6%. Maqedonia është shteti me rënien më të madhe vjetore të indikatorit të vdekshmërisë së fëmijëve të grupmoshës 0-5 vjeç.

Ky shtet ka pësuar rënie të këtij indikatori me mesatarisht 9.7% në vitin 2015 krahasuar me 2014. Sa më e lartë të jetë kjo normë, aq më i madh është përmirësimi vjetor i treguesit. Mali i Zi ka gjithashtu një përmirësim të lartë të këtij treguesi, duke shënuar një rënie mesatarisht 7.7% në vit. Ndërkohë që në botë vdesin çdo vit rreth 3.8% fëmijë më pak, në Shqipëri vdesin 3.6% me pak çdo vit.

norma-e-vdekshmerise2

 Vdekshmëria e fëmijëve duket të ecë në përpjesëtim të zhdrejtë me mirëqenien e një vendi. Vendet me të ardhura të larta kanë një normë të ulët të vdekshmërisë foshnjore, dhe anasjelltas.

norma-e-vdekshmerise3

 Në vitin 2015 norma e vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç (për 1 000 lindje) në vendet me të ardhura të larta ishte 5.5, në ato me të ardhura të mesme 39.9 dhe në vendet me të ardhura të ulëta 76.1.

Burimi:Gazeta Shendeti

Pin It