Shqipëria dhe Lituania rrisin bashkëpunimin në fushën e turizmit

Albanian beach

Shqipëria dhe Lituania nënshkruan ditën e sotme më 26 maj marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Ekonomisë e Republikës së Lituanisë nënshkruan në Lituani marrëveshjen “Për bashkëpunim në fushën e turizmit”, e cila do të shtojë marrëdhëniet ekonomike në këtë fushë midis dy vendeve.

Përfaqësuesja shqiptare zv. Ministrja Adela Karapici dhe ministri lituanez Evaldas Gustas ishin dy nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja synon që të dyja palët të zhvillojnë dhe përforcojnë marrëdhëniet në fushën e turizmit, të zhvillojnë shkëmbimet ekonomike dypalëshe, të nxisin bashkëpunimin midis shoqatave të tyre të biznesit, të turizmit, institucioneve dhe organizatave të tjera të angazhuara në zhvillimin e turizmit

“Shqipëria është një yll në ngritje në fushën e turizmit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, z. Tabel Rifai i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e rastit. Dhe kjo marrëdhënie bashkëpunuese do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave dhe të dhënave për turizmin me synim rritjen, zhvillimin dhe promovimin e mëtejshëm të tij.

Marrëveshja ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është e vlefshme për 5 vjet me të drejtë rinovimi.

Pin It