Shtëpia e bardhë dje dhe sot, lutja e John Adams për pasardhësit e tij

 

Një nga shtëpitë më të famshme në botë është pa dyshim Shtëpia e Bardhë. Ajo e mori famën e saj jo vetëm nga dukja e jashtme, por nga rëndësia në aspektin politik

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë nisi pa asnjë ceremoni formale, guri i parë i themelit u hodh  më 13 tetor 1792. Rezidenca kryesore, si dhe themelet e shtëpisë u ndërtuan kryesisht nga punonjës skllevër dhe të lirë afrikano-amerikanë, si dhe nga evropianë të punësuar. Pjesa tjetër e punës u krye nga emigrantët, të cilët s’kishin akoma shtetësinë. Muret me gurë ranorë u ngritën nga emigrantët skocezë të punësuar nga arkitekti Hoban, ashtu si dhe relievet e larta dhe dekorimet mbi hyrjen veriore. Pjesa më e madhe e punës me tulla dhe suva u krye nga emigrantët irlandezë dhe italianë. Ndërtimi fillestar u zhvillua në një periudhë prej tetë vitesh dhe me një kosto 232,371.82 dollarë (2.4 milionë dollarë me vlerën e vitit 2005). Edhe pse s’kishte përfunduar akoma, Shtëpia e Bardhë ishte gati për banim rreth datës 1 nëntor 1800. Mungesa e materialeve bënë të nevojshme ndryshimin e planit të mëparshëm të inxhinierit francez Pierre l’Enfant për një “pallat” që do ishte pesë herë më i madh se shtëpia që u ndërtua aktualisht. Shtëpia, fillimisht përmbante dy kate në vend të tre që ishin planifikuar. Kur përfundoi ndërtimi, muret e ndërtuar me gurë ranorë u lyen me një përzierje gëlqereje, kafeine dhe plumbi duke i dhënë shtëpisë ngjyrën e saj karakteristike dhe emrin.

John Adams është presidenti i parë që banoi në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë ditës së tij të dytë në shtëpi ai i shkroi gruas së tij Abigail një letër, ku ishte dhe një lutje për shtëpinë: “I lutem Zotit që t’i japë bekimet më të mira kësaj Shtëpie dhe të gjithë atyre që do banojnë këtu tani e mbrapa. Vetëm burra të ndershëm e të mençur udhëheqshin nën këtë çati”.

Shtëpia e bardhe sot

Në krahun Perëndimor ndodhet zyra e presidentit (Zyra Ovale) dhe zyrat e stafit të tij të ngushtë, prej 50 vetash. Krahu Perëndimor gjithashtu përfshin Dhomën e Kabinetit, ku presidenti kryen mbledhjet e punës dhe ku takohet kabineti i SHBA-së.

Krahu Lindor, i cili ka hapësirë shtesë për zyra, i është  shtuar Shtëpisë së Bardhë në vitin 1924. Aty ndodhen zyrat për stafin e Zonjës së Parë dhe Zyra Sociale e Shtëpisë së Bardhë. Në Shtëpinë e Bardhë  janë 132 dhoma, 35 banjo, si dhe 8 palë shkallë. Në shtëpinë zyrtare të presidentit të SHBA gjenden  gjithashtu 412 dyer, 147 dritare, 28 oxhaqe si dhe tre ashensorë.

Dhoma e Pritjeve Diplomatike është një prej tre dhomave ovale në Shtëpinë e Bardhë. Ajo është në katin përdhes dhe përdoret si dhomë pritjeje për ambasadorët e shteteve. Kjo dhomë është pjesa hyrëse në Shtëpinë e Bardhë dhe ka katër dyer që lidhin me dhomat e tjera.

Pin It