Shtohen astmatikët, pasojë ndotja e ajrit

5 ndër 100 shqiptarë vuajnë nga astma. Numri i personave që vuajnë nga kjo sëmundje që lidhet me rrugët e frymëmarrjes është rritur gati me 50 përqind vetëm në dhjetë vitet e fundit.

Sipas mjekëve alergologë më të prekurit janë fëmijët e vegjël të cilët i shfaqin simptomat e para që në moshë foshnjore, por që shpesh neglizhohen nga nëna.

“Shenjat e astmës janë tipike, si marrja e frymës kolla, fishkëllima dhe shtrëngimi në gjoks. Janë më të shpeshta natën. Janë të shpeshta. Duhen të diferencohen nga një ftohje e thjeshtë”, thotë Mehmet Hoxha, mjek alergolog.

Diagnoza e saktë për një fëmijë që vuan nga astma mund të përcaktohet vetëm në moshën tre vjeç. Sipas mjekeve rritja e numrit të prekurve me gati dy fish në këtë dhjetëvjeçar lidhet me një sërë faktorësh, ndër të cilat edhe ndotja e ajrit.

“E para është ndryshimi i stilit të jetesës, largimi nga natyra na ka ulur infeksionet, por ka rritur alergjitë. E dyta ndryshimi në stilin e të ushqyerit. E treta është ndotja atmosferike”, thotë mjeku Mehmet Hoxha.

Astma cilësohet si sëmundje me kosto të lartë si financiare ashtu edhe sociale. Një i prekur nga astma nëse është fëmijë do të bëjë më shumë mungesa në shkollë, ndërsa një i rritur do të mungojë më shpesh në punë.

 

Pin It