Si t’i mësojmë fëmijët të ndajnë gjërat me të tjerët?

Për fëmijët e vegjël, veçanërisht ata të moshës parashkollore, është shpesh e vështirë të ndajnë gjërat me të tjerët. Edhe pse fëmija fillon të zhvillojë ndjenjën e empatisë, pra të vendosë veten në vendin e tjetrit, ai nuk është mjaftueshëm i rritur për të kontrolluar impulset e tij.

Fëmija 3-4 vjeç mund ta ketë të vështirë të kuptojë se edhe nëse për momentin dikush po luan me lodrat e tij, ato do i kthehen sërish atij. Prandaj mos u habisni nëse përpiqet t’ia rrëmbejë lodrën nga dora shokut.

Ndërkohë aftësitë e tij për të ndarë gjërat me të tjerët po formohen dhe duhen nxitur. Prandaj duhen përdorur aftësitë e tij dhe gjërat që ai pëlqen të bëjë, psh. atij mund t’i pëlqejë të vizatojë për ju, të bëjë dhurata të vogla dhe të vlerësohet për to. Këto janë disa mundësi të mira për të zhvilluar ndjesitë e tij të bashkëpunimit e miqësisë.

Bëjeni argëtuese

Mësojini fëmijës lojëra në grup në të cilat duhet të bashkëpunojë me të tjerët, në vend të lojërave në të cilat garon me ta. Mund të përdorni formueset (puzzle), kubat ose të fryni tullumbace e të luani me to. Aktivitete të tjera: ujitja e luleve, rregullimi i lodrave, hapja e çantave të pazarit etj.

Mos e ndëshkoni fëmijën kur refuzon të ndajë lodrat me të tjerët

Ai mund të ndihet i fyer dhe i turpëruar dhe mund të krijojë mendimin që ndarja e gjërave me të tjerët ka pasoja negative. Përveç kësaj kur fëmijët ndihen të turpëruar ata tentojnë të bëhen më mbrojtës ndaj mjedisit dhe kjo e vështirëson procesin e të mësuarit të gjërave të reja.

Bisedoni

Përpiquni të ndërhyni në kohë dhe mos i lejoni fëmijët të grinden shumë keq. Qetësojini dhe më pas flisni me ta që ta kuptojnë njëri-tjetrin. Mund t’i thoni shokut të fëmijës suaj se “ai e do shumë atë lodër dhe për momentin nuk dëshiron që dikush tjetër të luajë me të. A mund të zgjedhësh ti një lodër tjetër”?

Gjithashtu pyeteni fëmijën se pse nuk pranon t’i ndajë lodrat me shokun, ndoshta ai mund të ketë një arsye shumë të rëndësishme. Përpizuni të tregoni që e kuptoni dhe në vend që ta kritikoni thojini “e kuptoj si ndihesh, më dukesh shumë i mërzitur”.

Mësoji fëmijës të zgjidhë problemet

Tregoji fëmijës që fakti që dikush po luan me lodrat e tij nuk do të thotë që do i marrë përgjithnjë ato. Gjithashtu mësojini të luajnë me orare, disa minuta secili nëse duan të njëjtën lodër.

Respekto sendet e fëmijës

Mërni leje nga fëmija përpara se t’ia jepni dikujt tjetër sendet e tij dhe mësojini edhe të tjerët të respektojnë sendet e tij. Ndihmojeni fëmijën të ndihet i sigurtë që të tjerët do i ruajnë dhe respektojnë gjërat e tij.

Bëhuni një shembull i mirë

Mënyra më e mirë për ta mësuar diçka është ta shohësh atë të praktikuar, prandaj ndajini gjërat tuaja, ushqimet etj me fëmijën. Jepini shallin tuaj dhe pyeteni nëse mund të përdorni ju kapëlën e tij për shembull. Gjithashtu kthejani gjërat që i keni marrë hua në mënyrë që ai ta kuptojë se nuk rrezikon t’i humbasë.

 

 

Pin It