Njëherë një të ri e kishte marrë malli për shoqen e zemrës që kishte kohë pa e parë. Nuk duroi dot më dhe mori rrugët për ta takuar. Eci me ditë të tëra derisa arriti në derën e të dashurës së zemrës. Trokiti në derë me shpresë në shpirt. Pas pak do të hapej dera…
Nga brenda dëgjohet zëri: “Kush është?”
“Erdha unë”, – u përgjigj ashiku.
Atëherë nga brenda dëgjohet zëri:
“Nëse ekziston ende ti, nëse je ti ai që ka ardhur, ik, prit dhe pak. Ende s’ka ardhur koha e takimit.”
Ashiku nuk kuptoi gjë. Më këto fjalë në kokë u sorollat nëpër shkretëtirë. U mendua gjatë, shumë gjatë. Ç’mund të kishte dashur të thoshte shoqja e zemrës?
Shëtiti me vite të tëra, u dogj e u përvëlua nëpër shkretëtira. Në fund nuk i ngeli asnjë gjurmë nga vetja. As ai vetë nuk ishte më. Atëherë shkoi sërish tek dera e mikes së zemrës. Trokiti sërish.
Nga brenda dëgjohet zëri: “Kush është?”
“Ti je, ti erdhe.”
Sapo tha kështu dera u hap tej e tej…
Dashuria që të vijë pret të ikë vetja. Nëse ende ekziston ti, nëse ka ende gjurmë prej teje, nëse mund të flitet ende për ty në prani të Mikut të Zemrës, atëherë nuk mund të bëhet fjalë për dashuri.