Sondazhi/ “Politikanët, të pangopur”. 90% e qytetarëve mendojnë se ka korrupsion

1-cityscape

Një studim realizuar pas sondazhit me banorë të Tiranës, profesorë dhe punonjës të medias hedh dritë mbi perceptimin e qytetarëve dhe vetë gazetarëve për korrupsionin në vend. Shifra është e frikshme, 90% e qyetetarëve mendojnë se jo vetëm ka korrupsion, por ai është i përhapur dhe shumë i përhapur.

Studimi, realizuar nga Prof. asoc. Mark Marku dhe Dr. Blendi Çeka, profesorë në Universitetin e Tiranës, financuar nga Konrad Adenauer analizon disa çështje kryesore që lidhen me këtë fenomen, duke mbërritur në rezultate konkrete. “Lidhur me arsyet pse politikanët janë të korruptuar, 54.97% e tyre raportojnë se “ata janë të pangopur”. Ndërkohë që 19.52% e tyre identifikojnë si arsye “kulturën shqiptare”. 9.02% e tyre raportojnë si arsye “çdo kush në pozicionin e tyre do të bënte të njëjtën gjë”. Arsyet “kanë nevojë për para për të paguar fushatat zgjedhore” dhe “kanë nevojë për para për t’u kujdesur për familjet e tyre” janë përzgjedhur nga 9.2% e të anketuarve”­ thuhet në studim.

Niveli i besimit tek institucionet në luftën e tyre kundër korrupsionit Ndërkohë lidhur me besimin tek institucionet në luftën e tyre kundër korrupsionit duket se më të besueshëm janë mediat dhe qytetarët (të njohur/ të afër me denoncimet që ata bëjnë kundër korrupsionit) me një mesatare vlerësimi 6,09 dhe 5.9 (sipas shkallës së vlerësimit të besimit ku 1 është “pak besim” dhe 10 “shumë besim”). Më pas në radhitje është shoqëria civile me një mesatare prej 4.87 dhe policia e shtetit me 4.43. Institucionet me nivelin më të ulët të besimit janë parlamenti, partitë politike dhe gjykatat me mesatare përkatësisht 2.34, 2.41 dhe 2.89. Mediat burim informacioni mbi korrupsionin dhe shkalla e lirisë Lidhur me lirinë që zotërojnë kanale të ndryshme mediatike për raportimin e rasteve të korrupsionit sipas perceptimit të qytetarëve, rezulton se më të lira perceptohen rrjetet sociale me një mesatare vlerësimi 7.06, ndjekur nga portalet online 6.52 (sipas shkallës së vlerësimit të besimit ku 1 është “pak liri” dhe 10 “shumë liri”) dhe më pas televizioni, radio dhe gazetat respektivisht në vlerat 5.63, 5.01. dhe 4.88. Kërcënimet e gazetarëve Ndërkohë që lidhur me kërcënimin më të madh në punën e gazetarëve, 33.67% e qytetarëve të anketuar identifikojnë “presionin politik”, 29.52% e tyre “presionin e grupeve të korruptuara dhe kriminale”, ndërkohë 20.66% e qytetarëve të anketuar identifikojnë “presionin e pronarëve të medias” dhe 14.02% “ndërhyrjen e qeverisë”.

Sipas qytetarëve të Bashkisë Tiranë, gazetarët nuk janë të mbrojtur nga sulmet, kërcënimet apo pushimet nga puna. Rreth 80% e të anketuarve mendojnë që gazetarët janë rrallë ose asnjëherë të mbrojtur nga këto sulme. Po ashtu 75% e qytetarëve mendojnë se ka vetëm shumë pak raste ku gazetarët vetë janë të përfshirë në çështje korruptive. Ndërkohë që 22% e tyre përgjigjen se gazetarët janë të përfshirë në çështje korruptive. Prokuroria Sipas qytetarëve të anketuar, reagimi i prokurorisë dhe gjykatave është i ngjashëm (mjaftueshëm në nivelin 30%) me reagimin qeverisë dhe institucioneve të tjera pas denoncimeve në media për rastet e korrupsionit. Rreth 50% e të anketuarve besojnë se reagimi i institucioneve të drejtësisë dhe ato të ekzekutivit është i pakët ose aspak prezent.

Në studim u bë pjesë një kampion prej 1080 qytetarësh të Bashkisë së Re Tiranë dhe një kampion prej 100 profesionistë të medias (kategori të ndryshme mediash të cilat operojnë në qytetin e Tiranës). Më konkretisht u përzgjodhën 900 të intervistuar në pjesën urbane dhe 180 të intervistuar në pjesën rurale.

 

 

Pin It