Strehimi, Kombet e Bashkuara do themelojë qendrën e konsulencës në Shqipëri

habitat-iii-webpage_f_0

Shqipëria dhe vendet e rajonit do të përfitojnë konsulencë nga Kombet e Bashkuara në lidhje me çështjet e strehimit. Kombet e Bashkuara do të ngrehë nje qendër kontakti në Shqipëri për zgjidhjen e strehimit për grupet vulnerabël.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE), Christian Friis Bach, gjatë një conference botërore për zhvillimin e qëndrueshëm urban.

“Kjo zyrë do të japë konsulencën e saj për politikat e strehimit apo për bashkërendimin më të mirë të punës me pushtetin vendor. Pra, modelet e vendeve të tjera do të mund të aplikohen edhe në vendin tonë. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj zyre, Shqipëria do të jetë një pikë kontakti për të gjithë rajonin në trajtimin e problemeve të strehimit”, deklaroi ministrja Gjermeni pas takimit.

Sekretari i Përgjithshëm i UNECE vlerësoi përparimin e Shqipërisë në çështjet e strehimit dhe planifikimit urban.

“Kjo qendër do të ndihmojë për forcimin e strehimit të qëndrueshëm. Ka shumë qytetarë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin kanë shumë vështirësi për të përfituar nga projektet e strehimit. Dhe me këtë vendim që kemi marrë, për qendrën e re në Shqipëri do të mund t’i shërbejmë siç duhet qytetarëve tanë”, tha z. Bach.

Shqipëria ishte një ndër 167 vendet pjesëmarrëse të konferencës HABITAT 3, organizuar në Quito nga Kombet e Bashkuara, në të cilën u miratua Agjenda e Re Urbane orientuese për 20 vitet e ardhshme.

Pin It