Studim: Shqipëtarët i marrin ilacet pa recetë

 

Jo rrallë herë mund të keni hasur persona që kur i shfaqen probleme shëndetësore, nuk shkojnë tek mjeku përkatës, por tek farmacia më e afërt për të marrë ilaçe pa ditur diagnozën e tyre. Ndoshta keni njohur edhe të tjerë që gjatë një bisede me miq konstatojnë se kanë të njëjtin shqetësim me bashkëbiseduesin dhe kërkojnë emrin e medikamentit që ai përdor, duke dashur ta blejnë atë, thjeshtë dhe vetëm se atij i ka bërë dobi. Studimi më i fundit na tregon se ky në fakt është një ves i Shqiptarëve në përgjithësi.

Instituti i Shëndetit Publik ka konstatuar nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 përqind të rasteve pa recete mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë rezistentë ndaj veprimit të tyre.

Mes pjesëmarrësve në anketë, 71% e tyre raportuan se ata morën antibiotikët e tyre nëpërmjet një recetë mjekësore (nga mjekët e tyre të familjes ose specialistë), ndërsa 24% ​​i kanë marrë  antibiotikët e tyre pa recetë mjekësore.

73% e individëve gabimisht konsideruan se dhimbjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% të individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbje të përgjithshme të trupit dhe të kokës respektivisht.

Instituti i Shëndetit Publik vë në dukje se kishte dallime të konsiderueshme gjinore në lidhje me mënyrën e marrjes së antibiotikëve, ku 75% e femrave raportuan se përdoren recetën mjekësore për marrjen e tyre krahasuar me 66% të meshkujve.

Anketimi nxjerr në pah se të rinjtë janë të përgjegjshëm pasi 78% e tyre i marrin  antibiotikët me recetë, ndërsa në moshën më të vjetër vetëm 60 për qind e tyre përdorin recetën.

Përqindja më e madhe që nuk i drejtohen mjekut për recetë janë të paarsimuarit. Anketimi ka gjetur se vetëm 55 për qind e atyre me arsim 8-të vjeçar kanë përdorur recetën për të marrë antibiotikë.

Për më tepër, niveli i parashkrimit mjekësor ishte më i lartë në zonat urbane krahasuar me zonat periferike dhe veçanërisht zonat rurale.

Në përgjithësi, 61% e pjesëmarrësve u përgjigjën se  antibiotikët duhet të merren sipas udhëzimit. Anasjelltas, rreth 33% raportuan se  antibiotikët mund të ndërprehen kur ata ndjehen më mirë.

Ndaj totalit, 31% e pjesëmarrësve të përfshirë në këtë studim raportuan se kishin përdorur antibiotikë muajin e fundit, 30% kanë raportuar se kanë përdorur në 6 muajt e fundit, 19% në vitin e kaluar, 12% më shumë se një vit. Ndërsa vetëm 4% e individëve nuk kishin përdorur kurrë antibiotikë.
Këto rezultate tregojnë qartë se shumica e njerëzve në Shqipëri i përdorin antibiotikët më tepër seç duhet dhe ndonjëherë edhe kur nuk e kan të nevojshëm përdorimin e tyre.

Pin It