“Takime shqiptare”, çelet në Vjenë ekspozita e artistëve Destan dhe Barbara Gashi

“Takime Shqiptare” titullohet ekspozita e skulptorit Destan Gashi dhe piktores Barbara Gashi, e hapur në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Austri.

Ky cikël skulpturash mermeri të realizuara kohët e fundit nga artisti i njohur Destan Gashi prezantojnë femrën shqiptare me kostume tradicionale nga rajoni i Hasit.

Ambasadori Sami Ukelli, i cili bëri hapjen e ekspozitës tha se është kënaqësi që kemi artistë të tillë si Destan dhe Barbara Gashi. “Sot po prezantojmë veprat e dy artistëve të veçantë dhe jam i lumtur që pranuan ftesën tonë për të prezantuar punën e tyre këtu,” tha ambasadori Ukelli.

Një nënë duke i dhënë gji foshnjës në djep, vajza hasiane duke bartur ujin veshur me kostumet e tyre tradicionale, janë vetëm disa prej skulpturave që duken jashtëzakonisht reale dhe pasqyrojnë fuqinë dhe bukurinë e femrës së dikurshme shqiptare. Këto skulptura janë realizuar në gurë të fortë mermeri të marrë në Kosovë dhe Austri.

“Duke i krijuar këto skulptura kam qenë jashtëzakonisht i motivuar. Nuk mund të ndalesha. Guri i përzgjedhur është tepër i fortë, mirëpo me dashuri të madhe dhe vendosmëri është gdhendur”, ka thënë skulptori.

Krahas skulpturave u ekspozuan dhe pikturat e Barbara Gashit. “Ju po shikoni këtu një lojë skulpturash dhe pikturash që e plotësojnë njëra – tjetrën sikur ne të dy që e kompletojmë njëri – tjetrin”, tha piktorja Gashi, e cila është partnere në jetë dhe krijimtarinë e Destan Gashit.

Të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin përfaqësues të ambasadave të huaja në Austri, përfaqësues të komunitetit shqiptarë në Vjenë dhe adhurues të artit nga komuniteti diplomatik internacional dhe austriak. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 21 prilli deri më 10 maj. Kjo ekspozitë do të hapë një cikël eventesh kulturore që Ambasada e Kosovës në Austri do të organizojë. Zana Rugova, sekretare e parë në Ambasadë, njoftoi se këto evente planifikohet të ndodhin çdo dy muaj dhe do të prezantojnë artin dhe krijimtarinë e krijuesve shqiptarë për vendasit dhe të tjerët që janë të interesuar për kulturën tonë./Kosovapress/ATA/

Pin It