Nga e enjtja maturantët do të njihen me listat paraprake të fituesve në universitete. Maturantët që do të shpallen fitues do të kenë mundësinë të regjistrohen deri në datën 12 tetor në një nga degët duke liruar edhe kuotat në programet e tjera të studimit.
Për maturantët të cilët edhe këtë raund nuk rezultojnë fitues Ministria do tu lerë të hapur një tjetër mundësi. Nga datat 17-20 tetor do të bëhet zbritja e vijës së kuqe ku dhe ata do të kenë mundësi të përfitojnë. Linda Pustina drejtoreshe e arsimit të lartë u bën apel maturantëve të jenë vigjilent në kontrollin e sistemit.
Ministria ka nisur sot trajnimin e sekretarive arsimore në universitete të cilat do të jenë në ndihmë të maturantëve që kërkojnë informacion. Në fazën e parë në universitete u regjistruan 6 mijë maturantë.