Konkurrimi, 5100 mësues në testim në 21 janar

provim2

5100 mësues, që duan të punësohen në sistemin arsimor parauniversitar, do të testohen në 21 janar, për të përfituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Në testim kanë të drejtë të marrin pjesë kandidatët që janë pranuar në fazën e parë të konkurrimit nëpërmjet vlerësimit të dosjes, si edhe kandidatët që kanë marrë pjesë në testimet e mëparshme të portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e tyre.

Ky testim përbën fazën e dytë të konkurrimit për t’u punësuar si mësues. Sipas udhëzimit nr.38 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit konkurrimi përbëhet nga tre faza.

Faza e parë është konkurrimi përmes dosjes personale të kandidatit, ku MAS ka përcaktuar 13 dokumente dhe kritere që kandidatët duhet të plotësojnë. Midis tyre janë kualifikimet e ndryshme shkencore, botime, kumtesa dhe publikime të botuara në fushën e arsimit. Po ashtu, pjesë e kësaj dosjeje duhet të jetë edhe fotokopja e licencës së provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.

Në fazën e dytë 5100 kandidatët që janë kualifikuar tashmë duhet t’i nënshtrohen testimit “Mësues për Shqipërinë”. Pas testimit, hartohet lista e kandidatëve për çdo profil/lëndë dhe liston kandidatët sipas pikëve të grumbulluara në testim. Këtyre pikëve u shtohen edhe pikët e marra nga dosja dhe përpilohet një listë përfundimtare e pikëve të fituara.

Në fazën e tretë të konkurrimit do të zgjidhet vendi i punës, ku përparësi do i jepet kandidatit që ka grumbulluar numrin më të madh të pikëve.

Pas kësaj kandidati emërohet nga drejtori me kontratë individuale pune me afat një vit kalendarik, e cila konsiderohet si periudhë prove. Në përfundim të kontratës, ngrihet komisioni, i cili pas miratimit të këshillit të prindërve të shkollës dhe komisionit të shërbimit psiko­social, bën emërimin definitiv të mësuesit.

Kandidatët duhet të marrin një vlerësim pozitiv nga psikologët dhe këshilli i prindërve për periudhën njëvjeçare të provës, në mënyrë që të fitojnë të drejtën e rinovimit të kontratës së punës.

 

Pin It