Kujdes e vëmendje për më të vegjlit, testim edhe për edukatoret

“Po vlerësojmë gjendjen e të gjithë fëmijëve në institucione, edukatoret do të testohen dhe standardet e qendrave të përkujdesit social do të rishikohen, në mënyre që të parandalojmë çdo fenomen abuziv dhe të garantojmë trajtimin maksimal, në interesin më të lartë të fëmijëve”.

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në Shtëpinë e Foshnjes në Tiranë, në ditën ndërkombëtare të jetimëve.

Duke u ndalur te rëndësia e standardeve të qendrave të përkujdesit, ministrja Manastirliu tha se do të nisë një program kombëtar për transformimin e qendrave të përkujdesit.

“Do të ndërmarrim një vlerësim ne nivel kombëtar te çdo fëmije në institucionet e përkujdesit, qofshin këto qendrore apo lokale.

Për ne ka rëndësi që çdo fëmije të trajtohet me kujdes maksimal nga punonjësit e përkujdesit social nga veriu në jug të vendit. Për këtë arsye po rishikojmë standardet e qendrave të përkujdesit”, – tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në Shtëpinë e Foshnjës, Ministrja u takua më një grup prindërish që janë në procedurë birësimi të fëmijëve të kësaj qendre.

“Sigurisht standardet në çdo institucion të përkujdesit janë të rëndësishme, por politikat tona janë të orientuara deinstitucionalizimi, me synim që çdo fëmijë të ketë një familje. Ndaj po punojmë për të fuqizuar familjet në mënyrë fëmijët të kenë mundësi të kthehen në familjen biologjike, për të nxitur dhe mbështetur familjet kujdestare dhe për të lehtësuar procedurat e birësimit”, – tha Manastirliu.

Në institucionet e përkujdesit social në të gjithë vendin trajtohen 199 fëmijë, ndërsa gjatë vitit te fundit janë kthyer në familje biologjike 32 fëmijë dhe janë birësuar 18 fëmijë. /ATA/

Pin It