Projektligji i ri, testim psiko-emocional për mësuesit

maxresdefault

Më shumë se 34 mijë e 600 punonjës të arsimit do i nënshtrohen një testimi psiko-emocional për të mbajtur vendin e punës. Mësuesit e arsimit parashkollor, të arsimit fillor dhe të arsimit të mesëm do të ushtrojnë profesionin e tyre vetëm pasi të kalojnë me sukses këtë testim.

Deputetet demokrate Mesila Doda, Albana Vokshi dhe Majlinda Bregu kanë propozuar një projektligj të tillë, i cili synon të identifikojë mësuesit që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët. Ky projektligj do të pengojë mësuesit e dhunshëm, ata me çrregullime mendore, probleme të personalitetit dhe maniakë që të ushtrojnë profesionin e tyre.

“Jo rrallë ka ndodhur që mësues të jenë persona me çrregullime të shëndetit mendor, apo persona me devijime të personalitetit. Motivi i ndërmarrjes së kësaj nisme është udhëhequr nga parimet e Konventës së të Drejtave të Fëmijës, pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm prej dekadash tashmë. Këto parime e vënë theksin në të drejtën e fëmijëve për paprekshmëri fizike dhe psikike, në detyrimin e mbrojtjes së fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, përfshirë këtu dhunën fizike, psikike, seksuale, shfrytëzimin, braktisjen, trajtimin jonjerëzor dhe ndëshkimin”, thuhet në relacionin e draftit ligjor.

Mësuesit e rinj do të kalojnë këtë test para se të punësohen, ndërsa ata që ushtrojnë aktualisht profesionin duhet të testohen brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit. Vlerësimi psiko-emocional për mësuesit do të zhvillohet çdo pesë vjet.

Ky vlerësim përfshin informacion social dhe biografik, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe të dhëna nga analiza psikologjike. Ai do të kryhet nga një psikiatër, ose një grup multidisiplinor, që përfshin infermierë, psikologë, punonjës socialë etj.

Pin It