Temperaturat e Ulëta, Bashkia e Tiranës shoqëron të pastrehët drejt qendrave sociale

cold-cold-ground_0004

Bashkia e Tiranës ka filluar punën për strehimin e personave të pastrehë në qendrat sociale gjatë këtyre ditëve të ftohta. Policia Bashkiake ka shoqëruar 100 persona nga rrugët drejt këtyre qendrave.

Nga këta 20 persona janë të mitur, shumica u gjetën në hapësira publike, ndërsa disa kanë ardhur nga qytete të tjera dhe janë dërguar në qendra të ndryshme në Tiranë konkretisht në Qendrën e Përbashkët në Laprakë­, Qendrën Sociale Multidisiplinare Njësia 9, Qendrën Komunitare Shkozë.

Përmes një postimi në twitter, Kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi qytetarët që të telefonojnë për çdo emergjencë në numrin 112 dhe të ndihmojnë personat e moshuar.

“Bashkia Tiranë transferoi mbrëmë 24 të pastrehë në qendrat sociale. Ju lutem sinjalizoni 112 për raste, kontrolloni fqinjët e moshuar”, shkruan Veliaj.

Bashkia e Tiranës gjithashtu do të vendosë në dispozicion disa godina që do të shërbejnë si qendra të përkohshme strehimi.

“Në rast nevoje ne do të përdorim të gjitha kopshtet, të gjitha shkollat, madje pallatin e sportit apo edhe konviktet tona të nxënësve dhe të studentëve, duke qenë se ende nuk ka filluar shkolla, konviktet i kemi ende në dispozicion. Do të jetë gjithashtu e hapur për të gjithë qytetarët, që i kap i ftohti në qendër të Tiranës, edhe kjo seli, Bashkia e Tiranës, zyra ime, zyra e Këshillit Bashkiak dhe të gjitha zyrat publike për këdo qytetar që moti i ftohtë e kap në rrugë dhe ka nevojë të fusi kokën diku për t’u ngrohur sa të kalojë vala e të ftohtit”, deklaroi dje Veliaj.

Një ditë më parë, Bashkia e Tiranës ngriti shtabin e emergjencave me qëllim marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të shmangur pasojat e kushteve të këqija atmosferikë tek ata që flenë në mjedise të ndryshme publike apo që janë në vështirësi.

Pin It