Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi sot shkrimtarin Dritëro Agolli për kontributin e tij në letërsinë shqipe si dhe për angazhimin në shërbim të kauzës së Kosovës. Dekorimi i personaliteteve shqiptare të kulturës dhe shkencës është pjesë e rëndësishme e vizitës së Thaçit në vendin tonë.
Presidenti i Kosovës do të dekorojë disa personalitete, gjithsej 13 emra të artit dhe shkencës, për t’i falenderuar për rolin e tyre në mbështetje të lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës. Midis tyre ndodhen edhe emra të njohur që janë larguar nga kjo jetë.
Gjatë vizitës në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli, Thaçi tha se gjeniu i letrave ka qenë një frymëzim për popullin e Kosovës.
“Është kënaqësi që të vizitoj gjeniun e letrave. Keni bërë atë që të tjerët nuk e kanë bërë për Kosovën. Keni shpresuar në lirinë e Kosovës kur të tjerët pak shpresuan. Keni qenë frymëzim për të gjithë ne”, tha Thaçi gjatë dhënies së titullit.
Ndërsa shkrimtari i njohur shprehu besimin e tij për të ardhmen e Kosovës dhe tha se Kosova është çështja e përbashkët e gjithë shqiptarëve, madje edhe politikës.
“Kam besim se Kosova në një të ardhme të afërt do ia kalojë të gjithë vendeve sepse ka përgatitur kuadro në të gjithë fushat, emigrimi ka bërë mirë. Ju kini shumë kuadro në fushën e mjekësisë të organizimit ekonomik, të kulturës. Keni një tokë të pasur.
Edhe ne si shtet shqiptar përtej Drinit bëjmë punën tonë. Shpesh herë ata në parlament zihen por vetëm për Kosovën nuk zihen. Vetëm kur bie llafi për Kosovën nuk ka sherr. Gjithmonë do përpiqem të punoj për të ngritur lart Kosovën”, tha Agolli.
Më poshtë jepet lista e plotë e personaliteteve të dekoruar nga Presidenti Thaçi:
Me Urdhrin e Pavarësisë do të dekorohen:
Dritëro Agolli
Xhevahir Spahiu
Moikom Zeqo
Shaban Sinani
Ekrem Bardha
Vladimir Prela, pas vdekjes
Sabri Godo, pas vdekjes
Ndërsa me Urdhrin Presidencial për Merita do të dekorohen:
Naim Zoto
Agim Doçi
Gjok Beci, pas vdekjes
Eduard Mazi
Fatime Sokoli, pas vdekjes
Edmond Zhulali