Themeluesi i Algjebrës, Al-Huarizmi

Emri i tij i plotë, është Abu Abdallah Muhammed ibn Musa Al-Huarizmi. Ai lindi rreth 780 në qytetin e Kathit, pjesë e Havarizm dhe vdiq rreth vitit 850.

Kontributet e Al-Havarizmit në matematikë, gjeografi, astronomi dhe hartografi krijuan bazën për inovacionin në algjebër dhe trigonometri. Disa nga veprat e tij bazoheshin në Astronominë Persiane dhe Babilonase, numrat Indianë dhe matematikën Greke.

Al-Huarizmi sistemoi dhe korrigjoi të dhënat e Ptolemeut për Afrikën dhe Lindjen e Mesme. Një tjetër libër i madh ishte “Kitab surat al-ard” (“Imazhi i Tokës”, përkthyer si Gjeografi), duke paraqitur koordinatat e vendeve të bazuara tek ato në Gjeografinë e Ptolemeut, por me vlera të përmirësuara për Detin Mesdhe, Azinë dhe Afrikën. Ai gjithashtu shkroi mbi pajisjet mekanike si: Astrolabi dhe Ora Diellore.

Ai ndihmoi në një projekt për të përcaktuar perimetrin e Tokës dhe për të bërë një hartë botërore për kalifin al-Ma’mun, i cili mbikqyrte 70 gjeografë. Në shekullin e 12-të, kur veprat e tij u përhapën në Evropë nëpërmjet përkthimeve latine, ai pati një ndikim të thellë në avancimin e matematikës në Evropë. Ai raportohet gjithashtu se ka bashkëpunuar në matjet e shkallës të urdhëruar nga Al-Mamun, të cilat synonin matjen e volumit dhe perimetrin e Tokës.

J. O’Conner dhe E. F. Robertson shkruan në arkivin e “MacTutor History of Mathematics”:

“Ndoshta një nga përparimet më të rëndësishme të bëra nga matematika Arabe, filloi në këtë kohë me punën e al-Huarizmit, pikërisht fillimet e Algjebrës. Është e rëndësishme të kuptohet sa e rëndësishme ishte kjo ide e re. Ishte një lëvizje revolucionare larg konceptit Grek të matematikës i cili në thelb ishte Gjeometria. Algjebra ishte një teori unifikuese e cila lejoi numrat racionalë, numrat e irracional, madhësitë gjeometrike, etj., të trajtohen si “objekte algjebrike”. Ai i dha matematikës një rrugë krejtësisht të re zhvillimi, më të gjerë në koncept me atë që kishte ekzistuar më parë dhe siguroi një mjet për zhvillimin e ardhshëm të saj. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i futjes së ideve algjebrike ishte se lejoi që matematika të zbatohej në vetvete në një mënyrë që nuk kishte ndodhur më parë.”

Phillip Hitti thotë për al-Huarizmin:

“Ai ndikoi në mendimin matematikor në një masë më të madhe se çdo shkrimtar tjetër mesjetar”.

Sigurisht, puna e tij në algjebër ishte e jashtëzakonshme, pasi ai jo vetëm filloi subjektin në një formë sistematike, por ai gjithashtu zhvilloi atë deri në masën e dhënies së zgjidhjeve analitike të ekuacioneve lineare dhe kuadratike, të cilat e vendosën atë si themeluesin e algjebrës.

Algjebra, vjen nga fjala arabe “Jabr”, që do të thotë: “ribashkimi i eshtrave të thyera”, por që në arabisht, ishte përdorur prej kohësh si term në zgjidhjen e ekuacioneve algjebrike (shprehja e plotë arabe ishte “Ilm al-xhabr ve’-l-mukabelah”, fjalë për fjalë “Shkenca e Ekuacioneve dhe Ribashkimit ” dhe matematikani Al- Hauarizmi përdori “al-xhabrin” si titull të teorisë së tij mbi algjebrën.

“Libri i Përmbedhur mbi Llogaritjen me Kompletim dhe Bilanc” (Kitab al-muhtasar fī hisab al-jabr vel-mukabele), është një libër matematikor i shkruar rreth vitit 820. Libri është shkruar me inkurajimin e Kalif el-Ma’munit si një ndihmesë për njerëzit në llogaritje dhe është plot me shembuj dhe aplikime për një gamë të gjerë problemesh në tregti, survejime dhe trashëgimi juridike. Libri u përkthye në latinisht, një kopje unike në gjuhën arabe e së cilës  mbahet në Oksford dhe u përkthye në 1831 nga Fritz Rosen.

Ai ofroi një shpjegim të plotë të zgjidhjes së ekuacioneve polinom deri në shkallën e dytë dhe diskutoi metodat themelore të “reduktimit” dhe “balancimit”.  “Al-jabr” është procesi i heqjes së njësive negative, rrënjëve dhe kartorëve  nga ekuacioni duke shtuar të njëjtën sasi në secilën anë. “Al-muqabala” është procesi i sjelljes së sasive të llojit të njëjtë në të njëjtën anë të ekuacionit.

Puna e dytë e madhe e al-Huarizmit ishte në fushën e Aritmetikës, e cila mbijetoi në një përkthim latinisht, por humbi në arabishten origjinale. Dorëshkrimet latine nuk janë të titulluara, por zakonisht përmenden nga dy fjalët e para me të cilat fillojnë: “Dixit algorizmi” (al-Huarizmi ) ose “Algoritmi de numeri Indorum”(al-Huarizmi në artin Hindu të llogaritjes ), emri i dhënë nga Baldassarre Boncompagni në 1857. Titulli origjinal arabisht mendohet të ketë qenë “Kitab al-Xhem ‘vet-Tafrik bi-Hisaab al-Hind” (Libri i Mbledhjes dhe Zbritjes sipas Llogaritjes Hindu).

Puna e al-Huarizmit në Aritmetikë ishte përgjegjëse për futjen e numrave arabë, bazuar në sistemin numerik hindu-arab të zhvilluar në matematikën Indiane, në botën perëndimore. Termi “alegoritëm” rrjedh nga alegorizmi, teknika e kryerjes së aritmetikës me numra hindu-arabë të zhvilluar nga al-Huarizmi. Të dyja termat “alegoritmi” dhe “alegorizmi” rrjedhin nga format latinisht të emrave të al-Huarizmit, përkatësisht Algoritmi dhe Algorismi.

Aritmetika e tij sintetizoi njohuritë greke dhe Indiane dhe përmbante gjithashtu kontributin e tij të një rëndësie thelbësore për matematikën dhe shkencën. Kështu, ai shpjegoi përdorimin e zero-s, një numër të rëndësisë themelore në matematikë të zhvilluar nga arabët. Në mënyrë të ngjashme, ai zhvilloi sistemin dhjetor në mënyrë që sistemi i përgjithshëm i numrave, ‘alegoritmi’ ose ‘algorizmi’ të emërohet në nder të tij. Përveç futjes së sistemit indian të numrave (tani i njohur përgjithësisht si numra arabë), ai zhvilloi disa procedura aritmetike, duke përfshirë operacionet mbi fraksionet. Ishte nëpërmjet punës së tij që sistemi i numrave u prezantua së pari tek arabët dhe më vonë në Evropë, nëpërmjet përkthimeve të saj në gjuhët Evropiane.

Puna e tretë e madhe e al-Huarizmit është “Kitab Ṣurat al-Arḍ” (Libri i Përshkrimit të Tokës), i njohur gjithashtu si Gjeografia e tij, e cila u përfundua në vitin 833. Është një ripërpunim i madh i Gjeografisë së Ptolemeut në shekullin e dytë, i përbërë nga një listë prej 2402 koordinatave të qyteteve dhe karakteristikave të tjera gjeografike pas një prezantimi të përgjithshëm. Ekziston vetëm një kopje e mbijetuar e “Kitab Ṣurat al-Arḍ”, e cila mbahet në Bibliotekën Universitare të Strasburgut. Një përkthim latinisht mbahet në Bibliotekën Nacionale të Spanjës, në Madrid.

Al-Huarizmit korrigjoi mbivlerësimin brutal të Ptolemeut për gjatësinë e Detit Mesdhe nga ishujt Kanarie në brigjet lindore të Mesdheut. Ptolemeu e mbivlerësoi atë në 63 gradë gjatësi, ndërsa Al-Huarizmi e vlerësoi pothuajse saktë atë në gati 50 gradë gjatësi.

Pin It