Thuaj të vërtetën, por thuaje bukur!

Tregohet se një mbret sheh në ëndërr se të gjithë dhëmbët i kishn rënë dhe i ishin thyer. Ai zgjohet i frikësuar dhe menjëherë thërret interpretuesin e tij të ëndrrave. Pasi i tregon ëndrrën që e kishte frikësuar deri në palcë, interpretuesi e pyeti si me ndrojtje: “Lartëmadhëria juaj! A jeni i sigurt për ëndrrën që keni parë?” Mbreti iu përgjigj: “Sigurisht është pikërisht ashtu siç ta tregova.”

Interpretuesi i tha: “Më vjen shumë keq që po e them, por kjo ëndërr tregon se të gjithë familjarët tuaj do të ndërrojnë jetë madhëri.” Mbreti e humbi toruan, u ngrit në këmbë dhe urdhëroi që ta dërgonin menjëherë në qeli interpretuesin e ëndrrave. Pastaj urdhëroi që të sillej një interpretues tjetër.

Interpretuesi tjetër sapo e dëgjoi ëndrrën e pyeti mbretin: “Lartëmadhëria juaj! A jeni të sigurtë për këtë ëndërr?” Mbreti i tha me dyshim: “Po, i sigurtë jam. Pse si e interpreton ti?” Interpretuesi i tha: “Nëse është kështu , atëherë unë po ju përgëzoj që tani.” Mbreti i thotë: “E Përse?!” Interpretuesi duke buzëqeshur shtoi: “Ëndrra që keni parë madhëri, më thotë se ju do të jetoni më gjatë se gjithë familjarët tuaj.”  I gëzuar mbreti e pyeti: “A je i sigurtë për këtë?” Interpretuesi ia kthen: “100% i sigurtë madhëri!” Mbreti u çel në fytyrë dhe menjëherë urdhëroi që interpretuesit t’i  jepej një dhuratë e vyer.

Morali: E vërteta duhet thënë gjithmonë, veçse duhet zgjedhur mënyra më e bukur për ta shprehur atë. Le të manifestojmë me kujdes përzgjedhjen e fjalëve që themi, pasi ato mund të ndryshojnë jetët tona dhe të dikujt tjetër.

Pin It