Ujite bahçen e Jusufit!

U bënë disa orë që ecte. Ishte lodhur shumë. Dielli ishte në pikun e tij dhe lëshonte gjithë bujari nxehtësinë e rrezeve tij. Ai po kërkontë një vend me hije, që të pushonte, se kishte ende rrugë të gjatë para.

Pak më tutje sheh një pemë dhe vendos që të pushonte nën hijen e saj. Nën ndikimin e lodhjes, e zuri gjumi menjëherë. Pasi kishte kaluar pak kohë, dëgjon një zë të çuditshëm që thotë: “Ujite bahçen e Jusufit!” Ky zë e bëri që të zgjohej. “Me shumë mundësi isha duke parë  ëndërr”, -mendoi me vete. Kur po e zinte gjumi sërish, e dëgjoi përsëri të njëjtin zë. Hodhi sytë andej nga vinte zëri dhe pa që zëri vinte nga lart. Pastaj sytë i zunë një re prej së cilës binte shumë shi. U habit shumë. Në këtë kohë të bukur e të ngrohtë, nga doli ajo re me shi vallë? I kujt ishte ai zë? Kush ishte Jusufi? Pak nga habia e pak nga frika, vendosi që të heqë kureshtjen. Kështu filloi që të ndjekë renë dhe të mësonte njëherë e mirë ç’po ndodhte.

Vazhdoi të ndiqte renë, së cilës zëri misterioz i thoshte të ujiste bahçen e Jusufit. Para tyre ishte një vend kodrinor. Reja e kapërceu vendin dhe filloi të lëshonte shiun e saj pas kodrës.  Kur kaloi pas kodrës, ai pa një burrë në bahçe dhe iu afrua. E përshëndeti dhe filloi të fliste me të. Po, ai ishte Jusufi. Mirë, po vallë ç’kishte bërë ky njeri që e kishte merituar këtë mirësi prej Zotit?

Burri ia shpjegoi Jusufit, të gjithë ngjarjen që kishte parë me sytë e tij. Ndërsa Jusufi ia kthen:

-Ti hajde njëherë e ngopu me të ngrënë. Duhet të jesh i etur, pi edhe ujë.  Pastaj t’i shpjegoj unë të gjitha, -tha.

Pasi burri u ngop me të ngrënë e me të pirë, Jusufi vazhdoi të fliste duke dashur t’ia shuante kureshtjen mysafirit:

-Ka vite që i jam përkushtuar punës në bahçen time. Këtë bahçe që po sheh, unë e mbjell, e korr dhe me të  nxjerr jetesën time. Madje në një çështje jam shumë i kujdesshëm. Prodhimin që nxjerr prej bahçes sime, unë e ndaj në tre pjesë. Një pjesë e ndaj për të varfërit dhe atyre që u bie rruga këtej, si puna jote. Pjesën e dytë e ndaj për familjen time, ndërsa pjesën e tretë që mbetet e ruaj dhe e përdor për të mbjellë sërish bahçen time.

Tashmë çdo gjë ishte shumë e qartë. Allahu ishte i kënaqur prej kësaj ndarje që kishte bërë Jusufi. Sidomos për një të tretën që kishte ndarë për hir të Tij. Kjo kishte bërë të mundur përfitimin e kësaj mirësie prej Zotit të Madhëruar.

(Muslim, 2984; Musned, 7928; İbn Hibban, 3355)

Pin It