“Unë jam shqiptar” ekspozita sjell diasporën në Muzeun Historik Kombëtar

Ekspozita “Unë jam shqiptar”,  kushtuar diasporës shqiptare e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, vazhdon të tërheq një numër të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.

Në një prononcim për ATSH-ën,  përgjegjësja e sektori i financës që bën evidencat në këtë institucion Flutura Lala thotë se kjo ekspozitë është vizituar nga 1167 vizitorë ku 202 kanë qenë turistë të huaj gjatë kohës që prej 18 dhjetor që përkon dhe me çeljen e kësaj ekspozite e deri ditën e sotme.

Kjo ekspozitë është çelur me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Emigrimit”.

Ekspozita ka filluar  në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindasve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Kjo ekspozitë do të vazhdoj për publikun deri më datë 18 janar . /ATA/

Pin It