“Universiada 2016”, studentët bashkohen në aktivitete sportive

1838469

Rreth 26 universitete publike dhe private do të marrin pjesë në garën sportive “Universiada 2016” të organizuar nga Universiteti i Mjekësisë dhe Bashkia e Tiranës. Aktiviteti synon forcimin e bashkëpunimit midis universiteteve dhe gjallërimin e jetës së të rinjve përmes zhvillimit të garave sportive

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ftoi të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e aktiviteteve sportive që do zhvillohen te Pallati i Sportit, në Sallën e Lojërave pranë Universitetit të Sporteve Tiranë, si dhe pranë kompleksit “Tirana” në afërsi të Ish-Frigoriferit Tiranë.

“Dua t’ju uroj shumë suksese! E di që kjo është një garë, e di që të gjithë dëshironi fitore, e di që kupat janë të kufizuara, por është e rëndësishme që të marrin pjesë të gjithë. Besoj që në sport nuk fitohet vetëm një kupë ose një medalje, ndërtohet karakter, mësohet si humbet, mësohet edhe si fitohet. Në Shqipëri kemi nevojë të mësojmë se si të jemi fitimtarë të përulur, por edhe kur humbasim, të kuptojmë që nuk është fundi i botës. Ngrihemi, edhe luftojmë prapë”, theksoi Veliaj.

Veliaj njoftoi se vitin e ardhshëm “Universiada” do të zhvillohet te Parku i ri Olimpik, i cili do të jetë një hapësirë moderne dhe një nga parqet olimpike më të bukura në rajon.

Gjatë 11, 12 nëntorit do të zhvillohen gara sportive në:

  1. Volejboll femra & Meshkuj
  2. Basketboll Femra & Meshkuj
  3. Minifutboll meshkuj
  4. Beach-volley Femra & Meshkuj.
Pin It